Gani Geci paraqiti padi kundër Klan Kosova
Prishtinë, 12 nëntor- Ish deputeti i Kuvendit të Kosovës, Gani Geci ka paraqitur padi për vepër penale - fyerje dhe ankesë në Komisionin e Pavarur për Media kundër TV Klan Kosova.
Në konferencën për media, Geci ka thënë se tash e 9 vjet më parë, në vlugun e fushatës u bë një atentat kundër tij, me çrast iu vranë dy shokë, gazetari Bekim Kastrati dhe truproja e presidentit Rugova, Besim Dajaku, ndërsa 9 vjet më vonë në të njëjtën kohë, një muaj para fushatës, u tentua të bëhej një atentat medial kundër tij nga ana e Klan Kosova dhe kryetarit të LDD-së, Nexhat Daci, me një aktgjykim të pabazë, të kurdisur nga nëntoka.
Kundër meje u aktivizua një televizion, i cili në komunën e Prishtinës nuk ka kërkuar kurrë leje për punë, ndërsa kundër Nexhat Dacit u aktivizuan letrat e vjetra të UNMIK-ut dhe bashkëpunëtorëve të UNMIK-ut. Unë sot kamë paraqitur një ankesë në Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM) dhe një padi në Gjykatën Komunale të Prishtinës, për vepër penale - fyerje, dhe vepër penale shpifje, u tha Geci gazetarëve.