02 Maj 2024

Fusnota e shpëton Kosovën nga izolimi

Prishtinë, 27 shkurt - Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka përzgjedhur bastionin e PDK-së, Prizrenin, për t′iu përgjigjur kritikave të shumta në lidhje me marrëveshjen për përfaqësimin rajonal të Kosovës. Ai ka thënë se këtë e ka bërë me qëllim sepse \"kur flet Prizreni, dëgjon Kosova\".

Me këtë rast ka siguruar anëtarët e simpatizantët e partisë së tij nga Prizreni, Rahoveci, Dragashi e Hasi se figurimi i Rezolutës 1244 në emërtimin me fusnotë të Kosovës nuk është lëshim e as kthim prapa, por formula që e shpëton vendin nga izolimi dhe hap perspektivën e integrimit.

Kryetari i PDK-së është shprehur i bindur se edhe në këtë rast është mposhtur Serbia, ngase ajo ka pranuar Mendimin këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës.

\"Dëshiroj të ju them në mënyrë më të hapur dhe më të sinqertë të mundshme se me këtë marrëveshje Kosova nuk ka pranuar bash asgjë. Pse? Sepse, Rezoluta 1244 ka qenë në të gjitha dokumentet e Kosovës. Vetëm Serbia e ka pranuar opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës\", ka thënë Thaçi para të pranishmëve.

Në një fjalim paksa më të zgjatur ai ka shpjeguar të gjitha etapat deri te çlirimi dhe pavarësimi i Kosovës, dhe në të njëjtën kohë ka potencuar se marrëveshja e fundit është rrjedhojë e dokumentit në Rambuje, procesit të Vjenës dhe dokumentit të presidentit Ahtisaari, ndërkohë që ka theksuar se \"Rezoluta 1244 përmendet tri herë në Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës\" dhe se e njëjta është konsultuar me Thaçin, Rexhep Qosjen dhe Ibrahim Rugovën në Keln të Gjermanisë, në vitin 1999, para miratimit në KS të OKB-së.

Thaçi ka pohuar se të gjitha vendimet e marrë gjatë kësaj periudhe i ka bazuar në \"besimin në Zot, fuqinë e popullit të Kosovës dhe miqësinë e përhershme me ShBA-në dhe BE-në\".

Derisa është pajtuar me konstatimet se kjo nuk është zgjidhja më e ′lezetshme′, ai ka bërë të ditur se në këtë mënyrë i hapet rruga Kosovës për integrim në 41 organizata ndërkombëtare, ngase ujdia është arritur me Uashingtonin e Brukselin dhe jo me Beogradin.

\"Kjo nuk është një zgjidhje ideale, as më e mira e mundshme, as më e lezetshmja për veshin e asnjërit nga ne, por një substancë e fuqishme për t’u integruar Kosova në 41 organizata rajonale evropiane e ndërkombëtare. Kosova ishte në mes të tendencave për izolim dhe perspektivës integruese evropiane. Ky konkluzion i përbashkët është arritur mes Kosovës dhe ShBA-së e BE-së, dhe jo mes Kosovës e Serbisë. Unë kam negociuar me Uashingtonin e Brukselin dhe jo me Serbinë\", ka deklaruar Thaçi.

Sqarimet e kryeministrit vijnë pas reagimeve të shumta të opozitës në lidhje me këtë çështje, ndërkohë që është raportuar për pakënaqësi edhe të vetë deputetëve të PDK-së. E, lëvizja \"Vetëvendosje\" ka paralajmëruar protesta për të hënën para Qeverisë së Kosovës.

Shefi i ekzekutivit i ka hedhur poshtë pretendimet e opozitës, e sidomos të “Vetëvendosjes”, duke theksuar se të njëjtët kanë qenë kundër Rambujesë, se nuk besonin se Kosova mund të jetë e lirë dhe e pavarur. \"Të tillët dhe po të njëjtët që po bëjnë zhurmë sot, u nervozuan pa të drejtë edhe kur i tërë populli i Kosovës kishte gëzim. Nuk po them që të festojmë, por po them që të vazhdojmë bashkërisht konsolidimin e shtetit. Ju ftoj t’i besoni partneritetit me ShBA-në dhe BE-në.

Ne deri këtu kemi ardhur bashkë me Washingtonin dhe Brukselin\", ka pohuar Thaçi. Sipas tij, qëndrueshmëria e shtetit të Kosovës është e bazuar në sistemin e vlerave amerikane dhe evropiane dhe se të gjithë ata që janë përcaktuar për rrugën antiamerikane dhe antievropiane do të dështojnë në të ardhmen.

\"Si mund të kthehet prapa Kosova, kur sivjet përmbyllet mbikëqyrja e pavarësisë?\", ka pyetur Thaçi, për të theksuar se shteti i Kosovës po fiton çdo ditë njohje të reja, është në prag të pranimit të një pakoje evropiane dhe ka mbështetje unike ndërkombëtare. Ai ka rikujtuar çmimin që ka paguar Shqipëria me mbylljen disa dekadëshe dhe ka pohuar se Kosova është përcaktuar për një drejtim tjetër, që do të çojë deri te integrimi i të gjithë shqiptarëve.

\"Ne po punojmë për integrim, hapje kufijsh, për të jetuar në një rajon evropian pa kufi. Të jeni të bindur se duke punuar bashkë, kështu, të gjithë shqiptarët do të jetojnë në një rajon pa kufi dhe do të jetësojnë atë që e duam ne dhe fëmijët tanë\", ka përfunduar Thaçi.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)