18 Janar 2025

Fushatë me fjalor të ashpër politik

Prishtinë, 29 nëntor - Koalicioni i OJQ-ve, “Demokracia në Veprim” (DnV), ka publikuar të premten Raportin me të gjeturat nga monitorimi i fushatës zgjedhore për raundin e dytë të Zgjedhjeve Lokale të 1 dhjetorit.

Shqipe Pantina nga Demokracia në Veprim (DnV) vlerësoi se fushata e balotazhit është zhvilluar me fjalor të ashpër politik nga kandidatët dhe subjektet politike, që paraqet jo vetëm shkelje të Kodit të Mirësjelljes për Subjektet Politike, Mbështetësit e tyre dhe Kandidatët, por po ashtu shpërfaq mungesën e kulturës për debat politik dhe konkurencë demokratike.

“Një gjuhë e tillë, është tregues se nuk po zgjidhen mjetet për të ruajtur apo për të ardhur në pushtet. Sjelljet e tilla  të subjekteve politike, po rrezikojnë që të tensionojnë gjendjen në ditën e zgjedhjeve, si dhe po ndikojnë në de-motivimin e qytetarëve për pjesëmarrje në procesin zgjedhor”, ka thënë ajo.

Sipas raportit, janë identifikuar tre raste të përdorimit të aseteve shtetërore për fushatën e balotazhit; 2 në tubimet e organizuara nga PDK në Lipjan dhe Vushtrri si dhe 1 rast nga KDTP në Prizren.

Po ashtu, pavarësisht thirrjes së DnV-së dhe medieve gjatë fushatës së 3 nëntorit për të mos manipuluar më fëmijë dhe për të mos i shfrytëzuar ata për fushata zgjedhore, prania e fëmijëve qoftë si numër apo shpërndarjen e materialit propagandues të subjektetve politike nuk ka munguar.

Ndërkohë, DnV po ashtu shpreh shqetësimin e saj lidhur me mungesën e një fushate edukuese për votuesit  nga ana e KQZ. Përkundër që mbi 100.000 vota dolën të pavlefshme në raundin e parë, KQZ nuk planifikoi fushatë për edukimin e votuesve për raundin e dytë të zgjedhjeve.

“Një mungesë e planifikimit për raundin e dytë tregon një papërgjegjësi serioze të organit i cili ka kompetenca kushtetuese në menaxhimin dhe administrimin e zgjedhjeve në Kosovë”, thuhet në raport.

Për më shumë, edhe pas një muaji nga data e zgjedhjeve të 3 nëntorit, ende nuk dihet se kur KQZ do shpallë dhe certifikoj rezultatet për asamblistët e rinjë në kuvendet komunale. DnV shprehet e shqetësuar për procesin tejet të ngadaltë që KQZ dhe organet e saja vartëse po tregojnë në prolongimin e rezultateve.

Edhe në raundin e dytë të këtyre zgjedhjeve lokale, prezenca e grave në tubimet elektorale të monitoruara nga DnV është vetëm rreth 5%.

Nga tubimet e monitoruara, është vërejtur prezencë dominuese e meshkujve, fakt ky që ka kuptim kur merret parasysh që fushata e balotazhit po zhvillohet me një gjuhë denigruese dhe jodemokratike që është jo vetëm dekurajuese për gratë por për qytetarët në përgjithësi.

Mungesa e prezencës së grave në tubimet elektorale apo prezenca e tyre e mangët, tregon se subjektet politike nuk janë të interesuar të krijojnë klimë demokratike për përfshirjen e sa më shumë grave në aktivitetet e subjekteve të tyre, por duan vetëm duan votën e grave në ditën e zgjedhjeve.
Demokracia në Veprim ka bërë edhe monitorimin medial të fushatës zgjedhore të
 balotazhit.
Televizionet e monitoruara janë: RTK, KTV, Klan Kosova, RTV 21, kurse gazetat e përditshme që monitorohen janë Bota Sot, Epoka e Re, Koha Ditore, Kosova Sot, Lajm, Tribuna dhe Zëri.

Në këtë raport paraqiten të dhënat e mbulueshmërisë së fushatës nga ana e televizioneve për tre ditë gjegjësisht datat 25, 26 dhe 27 nëntor dhe gazetave ditore për dy ditë gjegjësisht 26 dhe 27 nëntor, dhe këto të dhëna janë siç vijon më poshtë:

Kenan Tora nga DnV ka thënë se televizionet  gjatë këtyre tre ditëve kanë transmetuar përafërsisht 135 minuta Kronikë zgjedhore kushtuar fushatës elektorale. Po ashtu televizionet kanë transmetuar emisione televizive elektorale kryesisht në formë të duelit televiziv/ debat në mes të dy subjekteve/ kandidatëve që garojnë në raundin e balotazhit dhe kryesisht duke u përqendruar në qendrat e mëdha.

Spotet reklamuese kanë vazhduar të transmetohen sikur edhe gjatë fushatës për raundin e parë. Sipas të dhënave, gjatë fushatës për raundin e balotazhit gazetat ditore të cilat janë monitoruar kanë botuar gjithsej  101 artikuj për fushatën elektorale, duke i kushtuar gjithsej 46  faqe artikujve në fjalë.

Sa i përket raundit të dytë të 1 dhjetorit, DnV ka trajnuar gjithsej 1600 vëzhgues të cilët do të monitorojnë procesin zgjedhor më 1 dhjetor 2013. Ata do të raportojnë gjatë tërë ditës për rrjedhën e procesit në mënyrë që ti sigurojnë qytetarëve të Kosovës zgjedhje të lira, të drejta dhe transparente. DnV po ashtu do të ketë edhe disa ekipe mobile monitoruese.

DnV gjithashtu do ti ketë të angazhuar rreth 130 vullnetarë në qendrën e thirrjeve dhe marrjes së rezultatit.

Qendra e Demokracisë në Veprim  me 01.12.2013 do të jetë e vendosur në Hotelin Grand ku gjatë tërë ditës do të komunikojë me publikun përmes Konferencave dhe Komunikatave për shtyp.   

Demokracia në Veprim  po ashtu do të publikoj rezultatet paraprake për kryetar në tetë (7) komuna të Kosovës: Prishtinë, Prizren, Mitrovicë, Gjilan, Ferizaj, Gjakovë, Pejë.

 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)