18 Janar 2025

Fushatë e qetë me shkelje të kodit të mirësjelljes

Prishtinë, 21 tetor - Koalicioni i OJQ-ve “Demokracia në Veprim” DnV ka prezantuar sot të gjeturat nga monitorimi i javës së dytë të fushatës zgjedhore.

Në konferencë për media është vlerësuar se fushata në përgjithësi po zhvillohet e qetë dhe pa ndonjë incident  serioz, në përjashtim të veriut të vendit.

Me këtë rast, DnV dënon incidentet në veri të vendit dhe kërkon nga organet përgjegjëse të ofrojnë sigurinë e nevojshme për mbarëvajtjen e procesit  elektoral.

Driton Selmanaj nga DnV ka prezantuar të gjeturat e raportit, duke filluar me emërimin e Goran Zdravkovic në pozitën e Zëvendës-Kryeshefit Ekzekutiv të KQZ, edhe pse siç tha ai, vetë Zdravkovic ishte anëtar i KQZ-së dhe anëtar i panelit intervistues të krijuar nga KQZ për këtë pozitë.

Ai më tej ka folur edhe për mangësitë tjera të gjetura nga monitorimi i fushatës.

“Duke e pas parasysh rëndësinë që kanë komisionerët në ditën e zgjedhjeve, Demokracia në Veprim në vazhdimësi ka kërkuar nga KQZ që të ketë një fokus të veçantë në trajnimin e tyre. Fatkeqësisht, në bazë të monitorimeve të  bëra gjerë më tani të disa prej trajnimeve të anëtarëve të KVV-ve (ato janë në proces e sipër) vërehet një mungesë e madhe e komisionerëve në trajnime”, ka thënë Selmanaj.

Sipas tij, përveç kësaj, DnV është e shqetësuar edhe më testin të cilin u nënshtrohen anëtarët e KVV-ve pas trajnimit.

“Vëzhguesit e DnV-së kanë marrë një kopje të këtij testi i cili përveç që në disa raste është konfuz është përplot gabime drejtshkrimore. Përmbajtja e tillë e testit shton edhe më shumë shqetësimet tona për përmbajtjen e trajnimeve dhe për kualifikimet e personave që janë duke kryer trajnimet”, ka thënë ai, ndërkohë ka bërë thirrje që KQZ-së të shtojë mbikëqyrjen për trajnimet e mbetura si dhe menjëherë të tërheq nga përdorimi testin për anëtarët e KVV-ve pasi që i njëjti përmban pyetje konfuze por ka edhe gabime të shumta drejtshkrimore.

Në konferencë është potencuar edhe përfshirja në listat e votuesve dhe procesin e votimit të njerëzve me të meta të rënda psikike dhe pa zotësi veprimi.

Me këtë rast, DnV kërkon nga Enti dhe familjarët e pacientëve që trajtohen në këtë qendër, që të kërkojnë nga Gjykatat kompetente dhe me rekomandim të profesionistit shëndetësor, të nxjerrin vendime ku pacientëve të tillë u hiqet zotësia për të vepruar dhe me këtë u hiqet e drejta për të votuar.

“Me qëllim që këta pacientë të mos abuzohen dhe votat e tilla mos të jenë objekt manipulimi i personave të papërgjegjshëm,  DnV po ashtu ju bën thirrje institucioneve që administrojnë procesin zgjedhor si KQZ dhe KKZ, që në Entin e trajtimit Special në Shtime, të mos organizojnë fare proces të votimit”, ka theksuar Selmanaj.

Ai po ashtu ka folur edhe për të dhënat e Entit të Statistikave të Kosovës nga Regjistrimi i fundit  i Popullsisë ka dal se në Kosovë jetojnë 1,815,606 banorë rezidentë, që i bie vetëm 36.249 më shumë se sa ka votues Kosova në Listën përfundimtare të votuesve.

“DnV vlerëson se përkundër asaj që në listë të votuesve gjenden edhe personat që jetojnë jashtë Kosove dhe nuk janë regjistruar, megjithatë numri prej 1.779 357 votuesve nxjerrë konkluzionin se institucionet kompetente nuk kanë dëshmuar vullnet dhe gatishmëri për pastrimin e listave dhe ofrimin e një liste përfundimtare me të dhëna reale të qytetarëve dhe votuesve kosovar”, ka thënë ai.

Ndër tjera, në konferencë është folur edhe për premtime për investime qindra milionëshe.

Sipas DnV-së, edhe gjatë javës së dytë të fushatës, kandidatët e partive politike, nuk kanë arritur të ofrojnë projekte konkrete.

Kurse nga ana tjetër edhe më tutje kjo fushatë po karakterizohet me premtime nga ana e lidershipit të subjekteve politike (veçanërisht partisë në pushtet PDK) për investime me shuma dhjetëra e qindra milionëshe, përkundër që këto zgjedhje janë zgjedhje të nivelit lokal.

Një shqetësim tjetër i adresuar në konferencë është edhe përdorimi i aseteve publike në fushatë, ku janë identifikuar në 17 raste, në 12 raste janë përdorur në tubimet e organizuara nga PDK (Prizren, Gjilan, Rahovec, Mitrovice, Vushtrri, Fushe Kosove)  dhe 2 raste nga AAK (Prizren).

Në këtë fushatë po vazhdon edhe më tej përdorimi i fëmijëve për qëllime të fushatës ku në tubimet e subjekteve politike janë evidentuar në 25 raste.

Dëmtimi i materialit propagandues nga ana e partive politike ka vazhduar edhe më tej. Militantët e subjekteve politike kanë vazhduar traditën e  dëmtimit të materialit propagandues të partive kundërshtare.

Sa i përket OJQ-ve dhe medieve në fushatë, janë evidentuar raste kur janë penguar mediat për ushtrimin e veprimtarisë së tyre në 3 raste, 1 në Mitrovicë në tubimin e PDK-së,  1 në tubimin e AAK- së në Gjilan dhe 1 në tubimin e LDK-së në Deçan. 

Nga ana tjetër, Kenan Tora nga DnV ka paraqitur të dhënat nga monitorimi i medieve nga Demokracia në Veprim.

Sipas të dhënave nga gjithsej 1511 aktivitete elektorale që janë përcjell nga ana e gazetave, Kosova Sot është e para me më se shumti aktivitete të përcjella me 22.96%, e dyta Koha Ditore me 19.39%, e treta Bota Sot me 14.4%, e katërta Zëri me 12.9%, e pesta Tribuna me 12.83%, e gjashta  Epoka e Re me 10.52% dhe e fundit me 6.94% është Lajmi.

“Kurse për sa i përket partive politike me më së shumti aktivitete të mbuluara nga mediat prin PDK-ja, ku nga gjithsej 1511 aktivitete elektorale të përcjella 22.36% janë të kësaj partie, pastaj LDK është e dyta me 20.11%, AAK e treta me 15.55%, AKR e katërta 11.97%, VV e pesta 11.38%”, ka thënë Tora.

Sa i përket reklamave në gazeta prin LDK-ja me 50.5% të faqeve që i janë kushtuar reklamave të partive, pastaj PDK me 39.47% dhe AAK-LDD me 7.35%.

Katër televizionet e lartë përmendura gjatë këtyre dy javëve kanë transmetuar 904.3 minuta Kronikë zgjedhore kushtuar fushatës elektorale.

Nga këto 904.3 min RTK ka transmetuar 334.2 min ose 36.95%,  KTV 240.78 min ose 26.63%, Klan Kosova 184.25 min ose 20.37% dhe RTV 21 me 145.06 min ose 16.04%.

Ndërkohë, sa i përket partive politike PDK  prinë 195.99 min ose 22% pastaj e dyta është LDK me 171.50 minuta ose 19%, pas LDK-së është AAK-LDD me 164.78 min apo 18%, Vetëvendosja me 14% apo 127.35 minuta, AKR me 85.89 min apo 9% dhe partitë e tjera që e mbulojnë pjesën tjetër te aktiviteteve të transmetuara me 159.09 minuta apo në total 18%.

Katër televizionet e lartë përmendura kanë transmetuar gjithsej 839 min spote reklamuese me pagesë të partive politike. LDK prin me 42 % të kësaj kohe spote të transmetuara, pastaj PDK me 39 %, AKR me 18 % dhe AAK-LDD 1%.        

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)