Furtunë lëvizjesh në shërbimin diplomatik
Prishtinë, 28 gusht - Përfundimi i mandatit katërvjeçar të ambasadorëve, përfaqësuesve diplomatikë dhe konsullorë të Kosovës në misione jashtë vendit, po i mban nën ethe pothuajse gjithë gardën diplomatike.
Ministria e udhëhequr nga Enver Hoxhaj nuk jep sinjale se kur do të vendosë përfundimisht me fatin e diplomatëve që iu ka përfunduar mandati, porse ajo që dihet deri më tani është se furtunë e madhe lëvizjesh do të ndodhë në shërbimin diplomatik gjatë ditëve të ardhshme.
Gazeta Zëri mëson se me Ligjin e ri diplomatët që qëndrojnë në një vend katër vjet, pas përfundimit të mandatit në mënyrë të obligueshme do të kthehen në MPJ, ku duhet të qëndrojnë së paku dy vjet.
Zëdhënësi i MPJ-së, Artan Behrami, thotë se ky dikaster qeveritar aktualisht është në proces të rotacionit, që nënkupton lëvizje të stafit diplomatik, pas përfundimit të mandatit të tyre në vendet ku kanë shërbyer.
Me këtë rast, MPJ ka bërë një analizë të detajuar dhe duke u bazuar në prioritetet e Politikës së Jashtme, në aftësitë dhe përgatitjen profesionale, duke u bazuar në nevojat e brendshme të MPJ-së, në përputhje me këto ka ndodhur lëvizja e stafit diplomatik, ka thënë ai.
Sipas tij, vetëm në vitin 2013 në MPJ janë kthyer rreth 13 diplomatë, të cilët do të vazhdojnë punën në departamente të rëndësishme në kuadër të MPJ-së, derisa disa të tjerë janë dërguar në misione diplomatike, varësisht nga prioritetet e politikës së jashtme të Kosovës.
/Zër/