Fuqizimi i sundimit të ligjit është prioritet i prioriteteve
Prishtinë, 8 shtator - Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, sot ka marrë pjesë në mbledhjen e tretë të Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik.
Ministri Kuçi ka vlerësuar propozimin që Ministria e Drejtësisë ta kryesojë grupin punues për çështje legjislative dhe për adresimin e ankesave të investitorëve ndaj institucioneve. Ministri Kuçi tha se Ministria e Drejtësisë është e gatshme të jap kontributin e saj në mbarëvajtjen e këtij grupi, në funksion të përmirësimit të kushteve për bizneset dhe investitorët e huaj.
Bashkërisht do të analizojmë dhe veprojmë mbi legjislacionin në fuqi dhe do të propozojmë politika stimuluese për të tërhequr investime të huaja dhe për ti mbrojtur ato, tha Kuçi.
Ky grup punues sipas Ministrit Kuçi do të shërbejë si mekanizëm që i dëgjon brengat e investitorëve, njëkohësisht duke u përqendruar që ankesat kredibile të investitorëve ti përdorë në të mirë të hartimit të politikave reaktive ndaj vet halleve të investitorëve.
Ministri Kuçi gjithashtu ka theksuar se Ministria e Drejtësisë do të mbetet e përkushtuar që të kontribuoj jo vetëm përmes Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, por edhe përmes implementimit të masave në fushën e sundimit të ligjit që dalin nga Strategjia Kombëtare për Zhvillim. Fuqizimi i sundimit të ligjit është prioritet i prioriteteve, në shërbim të qytetarëve, pa dallim.