Fundi i pavarësisë së mbikëqyrur varet nga puna e institucioneve
Shefi i ZCN (ICO), Pieter Feith e përgëzoi presidenten për zgjedhjen e saj në krye të vendit dhe i ofroi asaj bashkëpunimin dhe ndihmën e zyrës që drejton.
Feith tha se Kosova ka nevojë për reforma të thella, me qëllim të ndërtimit të qëndrueshmërisë në vend. Ai shtoi se fundi i pavarësisë së mbikëqyrur të Kosovës varet edhe nga puna e institucioneve të vendit.
Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar i veçoi si të rëndësishme reformat në ligjin për zgjedhjet dhe të Kushtetutës së Kosovës, që ndërlidhen edhe me zgjedhjen e Presidentit të Republikës.
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e ka falënderuar Feith për urimet dhe për ndihmën që zyra të cilën e drejton ai i ka dhënë Kosovës.
Presidentja tha se qëllim i saj është ndërtimi i një konsensusi me subjektet politike dhe me shoqërinë civile. Ajo tha se do të jetë e angazhuar aktivisht në procesin e ndryshimeve kushtetuese dhe të reformave të ligjit zgjedhor.
Presidentja Jahjaga tha se marrëdhënia kontraktuale me BE-në do të ndihmonte reformat e brendshme dhe do të hapte perspektivën evropiane.
Ajo gjithashtu kërkoi hapjen e dialogut për liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës.
Presidentja Jahjaga tha se procesi i dialogut me Serbinë duhet të sjellë zgjidhje evropiane dhe ti përafrojë të dyja vendet me BE-në.