16 Janar 2025

Füle sot do të vizitojë Kosovën

Prishtinë, 19 mars - Zyra e Bashkimit Europian (BE) në Prishtinë ka bërë të ditur përmes një njoftimi për mediat, se komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Stefan Füle sot do të vizitojë Kosovën.

Sipas këtij njoftimi, gjatë vizitës së tij ai do të takohet me presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, përfaqësuesit e qeverisë dhe të Kuvendit të Kosovës.

Nderkaq gjatë vizitës që bëri dje në Serbi dhe pas takimit me presidentin serb, Tomisllav Nikoliç, Füle ka përsëritur se marrja e datës për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE varet nga reformat dhe përmirësimi i marrëdhënieve me Kosovën”.

“E di se të gjithëve ju intereson të dinë nëse Serbia do të marrë datën e fillimit të negociatave në qershor. Përgjigja në këtë pyetje varet nga përpjekjet për përmbushjen e reformave dhe nëse do të ketë përparim të dukshëm dhe të qëndrueshëm në marrëdhëniet me Kosovën”, tha zoti Fule, i cili të martën do të qëndrojë në Prishtinë për të takuar udhëheqësit politik të Kosovës.

Ndërsa, Nikoliç ka thënë se Serbia ka bërë mjaft, por është e gatshme të bëjë edhe më shumë.

Këshilltari i presidentit serb, Marko Gjuriç, ka deklaruar se, pret që komisioneri Füle të bëjë presion ndaj Prishtinës e të përçojë mesazh të fortë, që në javët e ardhshme dhe ndoshta brenda dy javësh të arrihet një marrëveshje kornizë me Kosovën.

Gjuriç i ka thënë RTS-së, që është e domosdoshme në këtë moment, që zyrtarët evropianë dhe ata zyrtarë që kanë ndikim ndaj Prishtinës, të përçojnë mesazh të fortë dhe domosdoshmërinë, që Prishtina të jetë e gatshme për kompromis.

“Serbia e ka shtrirë dorën, por Serbia duke mbrojtur bashkësinë e komunave serbe mbron edhe të drejtën për qëndrimin e popullit serb në Kosovë”, ka thënë Gjuriç.

Vizita e tij ndodhë në prag të takimit të radhës ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, të cilët të mërkurën në Bruksel, do të vazhdojnë bisedimet e ndërmjetësuara nga shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, që synojnë normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve.

Prishtina dhe Beogradi thonë se po bëjnë përpjekje për afrimin e qëndrimeve, por ende nuk ka një marrëveshje për veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, ku nuk njihen dhe nuk pranohen autoritetet e Prishtinës.

Prishtina thotë se pajtohet me krijimin e një asociacioni të komunave me shumicë serbe, por hedh poshtë çdo mundësi që ai të ketë fuqi ekzekutive. Beogradi kërkon krijimin e bashkësisë së komunave serbe që nuk do të kishte autoritet ligjvënës, por do të kishte pushtet ekzekutiv.

Zyrtarët evropian thonë se bisedimet ndodhen në një periudhë vendimtare dhe se të dyja palët duhet të angazhohen më shumë në arritjen e marrëveshjeve, meqë koha është e shkurtër.

Mesi i muajit prill është afati kur të dyja palët do të duhej të arrinin një marrëveshje kuadër për situatën në veri dhe nga kjo varet se kur do të marrë Serbia datën për fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa Kosova atë të negociatave për marrëveshjen e stabilizim asocimit.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)