FSSHCRK-ja kërkon të qartësohen dhe të zbatohen të gjitha format
Prishtinë, 16 nëntor- Kryesia e Federatës së Sindikatave të Shërbyesve Civilë në Republikën e Kosovës (FSSHCRK) është duke i shqyrtuar me kujdes disa nga dokumente dhe rregulla që prekin drejtpërdrejt fushëveprimin e punës së shërbyesve civilë në institucionet e Republikës së Kosovës.
FSSHCRK-ja ka analizuar Draftin e Reformës në Shërbimin Civil në Republikën e Kosovës, - si nismë për reformat në administratën shtetërore për periudhën 2015-2020. Drafti si dokument nismëtar për reformën në shërbimin civilë të Kosovës ka një rëndësi të veçantë në ngritjen e profesionalizmit në administratën shtetërore të Kosovës për periudhën pesëvjeçare.
FSSHCRK vlerëson se profesionalizmi në administratën e institucioneve të Kosovës mund të bëhet nëse vërtet do të zbatohen rregullat ligjore dhe rekomandimet e Bashkimit Evropian për të profesionalizuar dhe për ta bërë sa më efikase administratën shtetërore. Në këtë dokument janë paraqitur disa nga format, mënyrat dhe rrugët e ngritjes së një administrate në nivel më të lartë, më efikase, më profesionale dhe më funksionale për shërbimet që do ti kryejë në të ardhmen.
FSSHCRK do të kontribuojë në dhënien e rekomandimeve rreth funksionimit dhe funksionalizimit më profesional të administratës shtetërore për të qenë sa më të efektshëm në zbatimin e ligjshmërisë. FSSHCRK konstaton se ka nevojë për reforma në shërbimin civilë, por gjithherë sipas normave dhe standardeve që kërkohen, për të qenë sa më profesional dhe për të plotësuar kriteret për integrime evropiane. Këto reforma, FSSHCRK-ja i mbështet nëse nuk cenohet në asnjë aspekt interesi i shërbyesve civilë të dinjitetshëm, të cilët janë të përgatitur, të kualifikuar, të përkushtuar dhe të trajnuar për nevojat permanente për administratën në shërbimin civil në institucionet e Kosovës.
FSSHCRK ka shqyrtuar edhe Ligjin për Pagat e Nëpunësve në Sektorin Publik dhe ka konstatuar se tashmë jemi shumë afër kohës kur duhet të fillojë zbatimi i tij, i cili është i domosdoshëm të zbatohet për shkak se mbron interesat thelbësore të nëpunësve civilë. Ky ligj është neglizhuar tej mase deri më tani nga institucionet e Kosovës.
Njëkohësisht, FSSHCRK-ja kërkon që të qartësohen dhe të zbatohen të gjitha format, që nga zbatimi i katalogut të vendeve të punës dhe sistematizimit të vendeve të punës përmes funksionalizimit të sistemit të ri të pagave deri te gjitha format e pagave.
Nivelimi i pagave në start, për punë të njëjtë, paga të jetë e njëjtë për shkak se në disa institucione qeveritare ka dallime të mëdha në startin e pagës dhe në beneficionet tjera financiare. Po ashtu, dallime të mëdha ka në mes nëpunësve civilë dhe atyre në ndërmarrjet publike, ku kërkohet një harmonizim në nivelimin e pagave, pasi disa nga këto ndërmarrje i shfrytëzojnë pozitat monopoliste në treg, ndërsa qeverisen nga institucionet e Kosovës dhe marrin paga nga buxheti i Kosovës.
Gjithashtu, nivelimi i pagave duhet të bëhet edhe në aspektin sektorial, pasi ka dallime në 20 për qind të pagave në mes disa sektorëve tjerë. Kjo laramani ka ndodh qysh nga viti 2011. Për këtë çështje, FSSHCRK do të kërkojë me ngulm që ta realizojë nivelimin e pagave krahas sektorëve tjerë.
FSSHCRK dhe rekomandimet e shërbyesve civilë kanë vlerësuar se Fondi i Kuadrove, i cili është duke vazhduar të shfrytëzohet pa asnjë kriter, nuk po shfrytëzohet për qëllimin për të cilin është themeluar, por është duke u keqpërdor nga pushteti politik, për interesa politike.
Ky fond nuk ka shkuar kah funksionalizimi për të cilin është dedikuar, por ka devijuar kah manipulimi dhe keqmenaxhimi, prandaj FSSHCRK-ja e vlerëson këtë fond si Fond të keqpërdorimit.
Të gjitha këto vërejtje dhe sugjerime, FSSHCRK i ka përgatitur dhe do tua dërgojë institucioneve relevante, ku të kërkohet zbatueshmëria në përpikëri e rregullave dhe normave ligjore për interesat shoqërore dhe institucionale në përgjithësi si dhe për interesat shërbyesve civilë në veçanti.