Franca vazhdon përkrahjen për Kosovën
Prishtinë, 13 dhjetor - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur sot në një takim ambasadoren e sapoemëruar të Republikës së Francës në Kosovë, Maryse Daviet.
Në takimin e parë njoftues me ambasadoren e re franceze, kryeministri Thaçi, fillimisht e ka uruar ambasadoren për misionin e ri në Republikën e Kosovës, duke vlerësuar lartë bashkëpunimin mes Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Francës, dhe ka shtuar se mbështetja e Francës për proceset zhvillimore dhe integruese të Kosovës është e një rëndësie të veçantë.
Kryeministri Thaçi e informoi ambasadoren franceze në Kosovë për përkushtimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës për përmbushjen e plotë të agjendës evropiane të integrimit, duke theksuar se kjo është agjenda shtetërore e Republikës së Kosovës.