Formohet komisioni për shqyrtimin e problemeve të punëtorëve të Kosovatransit
Prishtinë, 23 maj - Ish punëtorët e Ndërmarrjes Publike Kosovatrans, gjatë takimit me drejtorin e prokurimit në Komunën e Mitrovicës, Gani Mustafa, njëherësh anëtar i Komisionit të aksionarëve të Stacionit të Autobusëve, që dikur ishte në kuadër të Kosovatransit, kanë kërkuar që sa më parë të bëhet zgjidhja e statusit të tyre prej punëtori.
Ata thanë se janë duke jetuar në kushte tejet të vështira dhe se deri me tani asnjëherë nuk kanë gjetur zgjedhje për problemet e tyre, pavarësisht kërkesave të pandërprera. Punëtorët kërkuan edhe njëherë shkarkimin e Bordit të drejtorëve të Stacionit të autobusëve.
Fevzi Beqiri, ish punëtorë, kërkoi që sa më parë të gjendet një zgjidhje për të gjithë punëtorët. Sipas tij, të gjithë punëtorët kanë mbetur pa punë qe një kohë të gjatë dhe se tashmë durimit i ka ardhur fundi. Ne kërkojmë nga ju që ta na e gjeni një zgjidhje. Për vite më radhë i kemi kërkuar të drejtat tona, por asnjëherë nuk janë marrë parasysh kërkesat tona, tha ai.
Po ashtu edhe Bejtullah Musliu ka kërkuar që sa më parë të zgjidhet problemi i ish punëtorëve të Kosovatransit. Ai tha se punëtorët duhet të përfshihen në listën e pagave, ose të ju kompensohet ndonjë pagesë, pasi kjo që ju është bërë në të kaluarën me largim nga puna është e padrejtë.
Gani Mustafa, drejtor i prokurimit tha se tashmë është marrë vendim për shkarkim të Bordit të aksionarëve të Stacionit dhe se është duke u punuar që të gjendet një zgjidhje e cila do të bazohej në ligj. Ai theksoi se edhe auditori i brendshëm do të vlerësoj gjendjen e përgjithshme sa i përket funksionit të Stacionit.
Mustafa tha se nëse aludohet se ka shkelje, atëherë edhe do të merr masa ndëshkimore. Kryetari Bahtiri dhe unë jemi duke punuar që sa më parë të gjejmë një zgjidhje për ju dhe sigurisht se ka probleme serioze. Ne kemi gjetur disa shkelje ligjore, tha Mustafa.
Gjatë diskutimeve është krijuar edhe komisioni i përberë nga pesë anëtarë, nga Sindikata e Pavarur e Stacionit të autobusëve, në përbërje Sali Feka, Hilmi Bekteshi, Murat Rama, Qerim Laku, Bejtullah Musliu, të cilët çdo 15 ditë do të konsultohet me Komisionin e aksionarëve, për të punuar në drejtim të zgjidhjes së problemeve.