Forcohen lidhjet ndërparlamentare mes Kosovës dhe Bullgarisë
Prishtinë, 20 mars - Sekretari i Përgjithshëm i Asamblesë Kombëtare të Republikës së Bullgarisë, Ivan Slavchov, fillimisht është pritur nga nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, i cili e ka njoftuar atë me përbërjen dhe punën e Kuvendi të Kosovës, si dhe për synimet e përhershme për profesionalizimin e administratës së Kuvendi, duke e vlerësuar në këtë mes të rëndësishme edhe mbështetjen e Parlamentit të Bullgarisë dhe përvojat demokratike të legjislativit bullgar.
Pas një takimi të drejtuesve të administratave të parlamenteve respektiv, sot është nënshkruar Memorandumi i mirëkuptimit ndërmjet Administratës së Kuvendit të Kosovës dhe asaj të Parlamentit të Bullgarisë.
Memorandumin, i cili ka për synim krijimin e lidhjeve ndërparlamentare dhe rritjes së nivelit të bashkëpunimit në mes të shërbimeve të administratës së dy parlamenteve, është nënshkruar nga Sekretari i Përgjithshëm i Asamblesë Kombëtare të Republikës së Bullgarisë, Ivan Slavchov dhe Sekretari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Ismet Krasniqi.
Në këtë ceremoni të bashkëpunimit kanë marrë pjesë Alex Chavarria, drejtor i programit të NDI-së, si dhe Denitsa Sacheva, nga drejtoria e këtij instituti në Bullgari.
Në tekstin e Memorandumit theksohet vullneti për binjakëzimin e strukturave të shërbimeve të administratës të dy parlamenteve; bashkëpunimi ndërmjet shërbimeve për media dhe marrëdhënie me publikun, duke përfshirë qasjen e mediave në hapësirat e Kuvendit, qasja e publikut (qytetarëve) në punën e Kuvendit, si dhe sektori i publikimeve; bashkëpunimi ndërmjet shërbimeve përkatëse për protokoll dhe marrëdhënie ndërkombëtare, duke përfshirë: avancimin e rregullave dhe praktikave për protokoll, organizimin e konferencave ndërparlamentare, si dhe përfshirjen e teknologjisë informative në këtë fushë; organizimin e aktiviteteve të përbashkëta të shërbimeve dhe projekteve të përbashkëta pranë institucioneve të ndryshme ndërkombëtare dhe donatorëve, etj.
Drejtori i Qendrës për media dhe i Drejtorisë për komunikim me publikun Hristo Kraevski, ka mbajtur një takim të veçantë me punonjësit e Zyrës për Media të Kuvendit të Kosovës, gjatë së cilit ka prezantuar përvojat e Parlamentit bullgar në lëmin e komunikimit me media dhe publikun.
Takime të veçanta janë mbajtur edhe me sektorë të tjerë të administratës së Kuvendit.