FOPOR kundër kryetarit të Ferizajit
Ferizaj, 18 maj - Forumi Politik i të Rinjve (FOPOR) pas deklarimit të Kryetarit të Komunës së Ferizajt, z. Muharrem Svarqa për mosthemelimin e Drejtorisë për Rini në kuadër të ndryshimit dhe plotësimit të Statutit të Komunës së Ferizajt, shpreh shqetësimin për mungesën e vullnetit politik dhe institucional të Kryetarit të Komunës për ti dhënë përgjegjësi shtetërore dhe një dimension të ri politikave rinore në nivel lokal.
FOPOR së bashku me trembëdhjetë organizata joqeveritare, forume rinore të partive politike dhe grupe rinore në Ferizaj, ka dorëzuar propozimin për themelimin e Drejtorisë për Rini.
Kjo iniciativë është kundërshtuar deri më tash vetëm nga dy organizata joqeveritare në Ferizaj. Deklarimi i Kryetarit të Komunës se kinse me themelimin e Drejtorisë për Rini do të dobësohej drejtoria ekzistuese (Drejtoria e Kulturës,Rinisë dhe Sportit) është i paargumentuar, pa analizë paraprake dhe e nxituar kur dihet fare mirë nga të gjithë grupet rinore se organizimi dhe funksionimi i trupave përfaqësuese të të rinjve është në nivelin më të ulët të mundshëm.
Shto kësaj edhe buxhetin jo dinjitoz që ndahet për grupet dhe organizimet rinore. Kujtojmë se kësaj iniciative i është bashkuar edhe forumet rinore të LDK-së dhe PDK-së, si dy partitë më të mëdha në Ferizaj. Deklarimi i Kryetarit të Komunës bie ndesh me pretendimet dhe orientimin e forumit rinor të partisë degën e së cilës e drejton.
FOPOR fton asambleistët lokal, shoqërinë civile, mediat dhe qytetarët që të hapet debati për themelimin e Drejtorisë për Rini, në mënyrë që të ketë argumentim më të plotë pro e kundër kësaj ideje. Deklarimet e fundme të përfaqësuesve të Kuvendit Komunal në Ferizaj, disa pjesëtarëve të shoqërisë civile, janë të pamatshme, jo argumentuese dhe si të tilla paragjykuese. Kuvendi Komunal në Ferizaj, duhet që të ketë parasysh se mosmiratimi i një iniciative të tillë, ua mohon të drejtën e përfaqësimit politik të rinjve, marrjen e përgjegjësive shtetërore dhe që rrjedhimisht në procesin e vendimmarrjes lokale janë të përjashtuar.
Andaj, në argumentim të thënë sa më sipër FOPOR fton spektrin politik në Ferizaj, që të reflektoj për një iniciativë të tillë, që është në dobi të të gjithë të rinjve.