Fondacioni Clinton fton Jahjagën në SHBA
Nju Jork 2 shtator - Muaji shtator do të mbledhë bashkë në takimin vjetor të Nju Jorkut më shumë se 1000 emra më të suksesshëm ndërkombëtarisht që vijnë nga bota e biznesit, politikës apo shoqërisë civile.
Eventi që mban emrin Impakti i së ardhmes tashmë është kthyer në traditën e dekadës së fundit, ku udhëheqës të ndryshëm dakordojnë së bashku mbi mënyrën se si do të zgjidhin disa nga sfidat globale.
Organizatorët e këtij takimi të rëndësishëm janë pikërisht familja Clinton, të cilët kanë edhe fondacionin që mban emrin e tyre.
Të gjithë pjesëmarrësit do të nxjerrin në pah pikat ku duhet punuar më shumë, në mënyrë që të sjellin progres në botën ku ne sot jetojmë.
Disa nga sfidat që pritet të diskutohen janë ndryshimi i klimës, barazia gjinore, shëndetësia në rang global dhe nxitja e njerëzve për të bërë më shumë bamirësi.
Pjesë e këtij eventi të rëndësishëm pritet të jetë edhe kryeministri Edi Rama si edhe Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.
Po ashtu, Fondacioni Clinton iu ka dërguar ftesë edhe disa prej liderëve të tjerë botërorë, si edhe përfaqësuesve të organizatave të ndryshme ndërkombëtare.
Deri më sot, takime të këtij lloji kanë marrë më shumë se 3 200 angazhime të cilat kanë përmirësuar jetën e më shumë se 430 milionë njerëzve në 180 vende të botës. (Top Channel)