Fol: 32 institucione publike, vetëm njëra transparente
Prishtinë, 18 nëntor - Lëvizja FOL për të dytin vit me radhe ka bërë një studim politikash publike. Ashtu sikurse studimi i vitit 2010, edhe ky studim vlerëson transparencën e institucioneve dhe ndërmarrjeve publike që operojnë në Kosovë.
Këtë vit Lëvizja FOL është fokusuar kryesisht në përparimet e bëra që nga studimi i vitit të kaluar në funksionimin e strukturave të brendshme të institucioneve dhe ndërmarrjeve publike që janë përgjegjëse për çështjet e komunikimit dhe informimit publik, natyrisht duke vlerësuar të njëjtat çështje si në raporti i kaluar.
Pra, edhe ky studim fokusohet në atë se deri në çfarë niveli institucionet dhe ndërmarrjet publike kanë zhvilluar kapacitetet e strukturave të tyre formale për të siguruar zbatimin e plotë dhe efektiv të dispozitave kushtetuese dhe ligjore që garantojnë të drejtën e qytetarëve për qasje në dokumentet publike, pra komunikimit dhe informimit publik, me qëllim të forcimit të transparencës dhe llogaridhënies ndaj publikut.
Gjatë konferencës së sotme për media u publikua analiza Indeksi i Transparencës së Institucioneve dhe Ndërmarrjeve Publike në Kosovë II për vitin 2011. Analiza fokusohet në zbatimin e Ligjit për Qasjen në Dokumente Publike, nga ana e Zyrave të Komunikimit me publikun në Institucione përkatëse.
Drejtori i Lëvizjes FOL, Petrit Zogaj, tha se pyetësori i është dërguar 32 Institucioneve Publike, nga të cilat 16 kanë kthyer përgjigje, ku vetëm 1 është ranguar si institucion i hapur. Doganat e Kosovës, përkatësisht Zyra për komunikim me Publikun, sipas studimit tonë vlerësohet të jetë zyra më transparente dhe e hapur në raport me: institucionet, mediat, shoqërinë civile dhe qytetarët e Kosovës. Prej 100 pikë sa është vlerësimi në total, 93 pikë i ka marrë kjo zyrë. Ndërkaq, Ministria e Komuniteteve dhe Kthimit sipas vlerësimit tonë ka marr vetëm 24 pikë nga 100, të cilat pikë e rangojnë si Institucioni më i mbyllur.