Fletëvotimet shtypen jashtë, kushtojnë 180 mijë euro
Prishtinë 18 maj - Mbi 1.7 milionë fletëvotime pritet të shtypen për zgjedhjet e 8 qershorit. Organizatorët e zgjedhjeve edhe kësaj radhe kanë vendosur që këtë punë tia besojnë një kompanie sllovene.
Organizatorët e zgjedhjeve të parakohshme të 8 qershorit edhe kësaj radhe kanë anashkaluar operatorët vendorë, duke kontraktuar ata të jashtëm.
Mirëpo, ky veprim është bërë vetëm për materiale të ndjeshme, ndërsa kompanitë kosovare janë të angazhuara sidomos në pjesën që ka të bëjë me informimin publik.
Ajo që llogaritet si pjesa më e ndjeshme është fletëvotimi, ndërsa shtypja e tyre do të bëhet sërish në Slloveni, konkretisht nga kompania Cetis, me seli në Celje, e cila ka bërë shtypjen e fletëvotimeve edhe në zgjedhjet e kaluara lokale.
Drejtues të këtij mekanizimi kanë bërë të ditur se nuk kanë pasur zgjidhje tjetër, pos të veprojnë në këtë formë, pasi sipas tyre afatet për organizim të zgjedhjeve janë shumë të shkurtra.
Kryeshefi i sekretariatit të KQZ-së, Enis Halimi, ka bërë të ditur se shtypja e fletëvotimeve nuk është proces i vetëm që ka shkuar në këtë formë. Ai tha se janë detyruar që ti shkurtojnë afatet dhe në këtë raste edhe anulimin e tenderëve të hapur më herët. (Tribuna)