Fletëvotime të njejta në të gjithë Kosovën

Prishtinë, 4 gusht - Fletëvotimet do të jenë të njejta në të gjithë territorin e Kosovës për zgjedhjet e 3 nëntorit, pasi do të mbahen në bazë të ligjeve të Kosovës.
Këtë e ka bërë të ditur kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor, Valdete Daka. Sipas saj, ende nuk është vendosur për dizajnin e tyre sepse pritet që të përfundojë procesi i certifikimit të subjekteve politike dhe nuk është hedhur shorti.
Fletëvotimet do të jenë të gjitha të njëjta dhe fatbardhësisht ne kemi një marrëveshje në mes të Republikës së Kosovës dhe të Serbisë dhe e cila marrëveshje thotë se zgjedhjet lokale do të mbahen sipas ligjeve të Kosovës, ka thënë Daka për RTK.
Edhe për regjistrimin e partive politike janë po të njejtat kushte për çdo subjekt politik pavarësisht se në cilën pjesë të vendit janë.
Të gjitha kushtet do të jenë të njëjta, si për partitë të cilat regjistrohen dhe kanë seli në pjesën veriore dhe gjithashtu në pjesën jugore pra regjistrimi do të jetë i njëjtë dhe kushtet do të jenë të njëjta, të gjitha pra sipas ligjeve të Kosovës, ka theksuar Daka.