02 Maj 2024

Fitou: Kosova është gjeografikisht pjesë e familjes evropiane

Prishtinë, 8 dhjetor - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka zhvilluar një takim lamtumirës me ambasadorin e Republikës Franceze në Kosovë, Jean-François Fitou.

Pas takimit, ministri Hoxhaj ka shprehur mirënjohje për angazhimin dhe kontributin e madh që ambasadori Fitou ka dhënë për Kosovën.

Hoxhaj tha se gjatë kësaj periudhe, Franca ka ofruar një mbështetje sistematike në të gjitha fushat e jetës, dhe se falë angazhimit personal të ambasadorit Fitou, marrëdhëniet dhe përkrahja  e Francës është shtrirë jo vetëm në fushën e politikës së jashtme, por në të gjithë sektorët e tjerë, duke filluar nga ekonomia, arsimi, shëndetësia e kultura.

“Ky progres që kemi arritur, pa mbështetjen e Francës dhe mbështetjen personale të ambasadorit Fitou do të ishte pothuajse i pamundur”, tha Hoxhaj.

Ai po ashtu theksoi përkrahjen e fuqishme të Francës në procesin e shtimit të numrit të njohjeve, duke bërë të ditur se në disa njohje që kanë ardhur  nga qendrat frankofone, ka qenë vendimtar ndikimi i Ministrisë së Jashtme të Francës, ambasadorit Fitou si dhe kolegëve të tij ambasadorë të Francës në vende të ndryshme.

Me këtë rast, Hoxhaj theksoi njohjen e Kosovë nga Andorra, në të cilën një kontribut të madh ka dhënë diplomacia franceze.

Hoxhaj po ashtu theksoi se ambasadori Fitou e ka mbështetur fuqishëm Kosovën sa i takon procesit të integrimit të Kosovës në sistemin ndërkombëtar, duke veçuar me këtë rast anëtarësimin e Kosovës në BERZH.  

Ministri  Jashtëm i Kosovës po ashtu vlerësoi se ambasadori Fitou ka qenë një mik i madh i Kosovës evropiane.

Në këtë kontekst, Hoxhaj theksoi kontributin e Francës dhe ambasadorit Fitou për realizimin e suksesshëm të studimit të fizibilitetit nga Komisioni Evropian, duke thënë se tashmë pritet që në pranverën e ardhshme të fillojnë negociatat zyrtare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit.

“Kjo marrëveshje është e rëndësishme sepse paraqet hapin e parë të rëndësishëm për integrimin e Kosovës në BE, por marrëveshja mbi të gjitha është skajshmërisht e rëndësishme sepse paraqet marrëdhënien e parë kontraktuale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian”, tha ministri Hoxhaj.

Në anën tjetër, ambasadori i Republikës Franceze në Kosovë, Jean-François Fitou, ka shprehur kënaqësinë e tij gjatë angazhimit dhe punës në Kosovë.

“Jam kënaqur nga çdo minutë që kam kaluar në Kosovë në tre vjetët e fundit”, theksoi Fitou, duke falënderuar dhe shprehur kënaqësinë e bashkëpunimit me ministrin Hoxhaj, mediet por edhe me të gjithë qytetarët dhe organizmat e tjerë në Kosovë.

Gjatë paraqitjes para medieve, ambasadori Fitou po ashtu ka vlerësuar progresin që është arritur dhe sfidat me të cilat ballafaqohet Kosova, por ka theksuar se Kosova ka bërë hapa shumë të mëdhenj përpara, gjatë këtyre viteve.

“Identiteti, sovraniteti, shteti, kufijtë, integriteti i juaj nuk janë më në diskutim”, tha Fitou, duke vlerësuar se në Kosovë ka shumë për t’u bërë, por se shumë për t’u bërë ka edhe në shtetet e tjera siç është edhe shteti i tij.

Ambasadori ka folur edhe për sukseset e arritura në proceset e forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, duke thekuar se tashmë Kosova është njohur nga pothuaj gjysma e shteteve të Kombeve të Bashkuara, 22 shtete anëtare të Bashkimit Evropian, është anëtarësuar  në shumë institucione ndërkombëtare dhe po zhvillon një jetë normale.

Jean-François Fitou, po ashtu ka shprehur mbështetjen fuqishme të Francës për Kosovën në proceset e mëtutjeshme, përfshirë edhe proceset integruese evropiane.

Ai tha se Kosova ka një rast të mirë për t’iu bashkuar Bashkimit Evropian, pasi që Kosova është gjeografikisht pjesë e familjes evropiane.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)