Fito uron qeverinë për fillimin e bisedimeve
Prishtinë, 8 mars - Ambasadori i Francës në Kosovë, Jean François Fito, ka uruar qeverinë e Kosovës për gatishmërinë e treguar për fillimin e dialogut me Serbinë.
Pas një takimi më Ministrin e Drejtesisë Hajredin Kuçi, ambasadori francez tha se kosovarët nuk duhet të kenë frikë nga dialogu me Serbinë, pasi në të do të përfshihen vetëm çështje teknike.
Ai tha se Franca e mbështet këtë proces, por edhe proceset tjera që do të zhvillohen në Kosovë.
Ndërkohë, ministri Kuçi, nuk ka dashur të përgjigjet nëse është veprim i pamatur shkuarja e delegacionit qeveritar në bisedime me Serbinë pa miratimin paraprak të Kuvendit.
Ai e ka quajtur shumë të dobishëm debatin që u zhvillua dje në Kuvend, ndërsa është zotuar se qeveria do ta respektojë çdo rezolutë apo dokument që do të miratohet nga Kuvendi .