Finlanda ofron mbështetje të plotë për Kosovën
Prishtinë, 5 prill - Në ditën kur Finlanda bëhej anëtari i 31-të anëtar i NATO-s, ambasadori i saj në Prishtinë, Matti Nissinen, deklaroi mbështetjen e plotë të vendit të tij për Kosovën dhe për stabilitetin e të gjithë Ballkanit në tërësi.
“Finlanda ka qenë e përkushtuar për sigurinë dhe stabilitetin këtu në Ballkan për shumë vite, dhe ne patjetër do të vazhdojmë ta bëjmë një gjë të tillë. Që nga koha e presidentit Martti Ahtisaari, kemi qenë të angazhuar në promovimin e së ardhmes së Kosovës në organizatat europiane dhe euroatlantike. Do të vazhdojmë ta japim atë mbështetje të palëkundur për Kosovën edhe në të ardhmen”, tha ambasadori Matti Nissinen.
Në intervistën e dhënë për The Geopost, ai e përshkroi më tej anëtarësimin e Finlandës në NATO, si një moment historik. Edhe më herët, ne kemi qenë shumë afër NATO-s me stërvitje në aktivitete të ndryshme të përbashkëta me të.
“Por sërish kjo ishte një ditë e rëndësishme historike për vendin tonë”, tha ambasadori. Në mesazhin dërguar popullit të Kosovës, ai nënvizoi se mbështetja për të në politikën finlandeze, do të vazhdojë.
“Liderët tanë politikë kanë theksuar publikisht se Finlanda mbështet anëtarësimet e Kosovës në organizata ndërkombëtare, qoftë në Këshillin e Evropës apo Bashkimin Europian apo edhe anëtarësimin në NATO. Politikanët tanë e kanë thënë këtë publikisht dhe jam i lumtur ta përsëris këtu me ju, se është diçka që nuk do të ndryshojë në politikën finlandeze”, shtoi ai.