17 Janar 2025

Fillon rishikimi i Kodit Penal dhe i Kodit të Procedurës Penale

Prishtinë, 22 nëntor - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, kanë marrë pjesë në takimin e Grupit Punues, i cili është themeluar për të rishikuar dhe amendamentuar Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.

Para anëtarëve të Grupit Punues, presidenti Thaçi ka theksuar se qysh në fillim të marrjes së mandatit si president i Republikës së Kosovës, ka kërkuar ndryshim dhe plotësimin e Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale.

“Këtë gjë e kam kërkuar në funksion të rishikimit të legjislacionit të drejtësisë penale me qëllim të plotësimit të  infrastrukturës ligjore në fushën e drejtësisë penale dhe eliminimin e zbrazëtive dhe mangësive ligjore në këtë fushë”, ka shtuar ai.

Presidenti ka thënë se të gjithë jemi dëshmitarë të ndryshimeve dhe rreziqeve globale me të cilat po përballet e gjithë bota ndaj të cilave Kosova nuk është imune.

Sipas tij, rreziqe të tilla të përmasave globale, siç janë terrorizmi dhe krimi i organizuar, kërkojnë infrastrukturë ligjore më të fuqishme në funksion të lehtësimit të punës së institucioneve zbatuese që t’i luftojnë këto dukuri.

“Si President i Republikës së Kosovës, e kam potencuar disa herë prioritetin që ka Kosova në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, ka thënë ai.

Presidenti ka inkurajuar Grupin Punues që t’i kushtojë vëmendje të veçantë dispozitave të Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale që kanë të bëjnë me veprat penale të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Me këtë rast, ai ka bërë thirrje që të bëhen ndryshimet e nevojshme që institucionet zbatuese të kenë kompetenca më të fuqishme për të goditur krimin, me qëllim të fuqizimit të sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës. 

“Dua të ritheksoj edhe njëherë përkushtimin tim si president i vendit për të mbështetur çdo iniciativë që vjen nga institucionet e Republikës së Kosovës për të fuqizuar kornizën ligjore, për luftimin e krimit në përgjithësi, por krimit të organizuar dhe korrupsionit në veçanti”, ka thënë ai.

Thaçi ka shprehur besimin se iniciativa të tilla si kjo e ndryshim plotësimit të legjislacionit penal, tregojnë se Kosova është shumë serioze dhe e vendosur për të luftuar krimin dhe për të fuqizuar sundimin e ligjit.

“Si president i vendit, kërkoj që të punohet drejt fuqizimit të kodeve moderne që respektojnë të drejtat e njeriut dhe që i përshtaten sistemit tonë gjyqësor duke adresuar specifikat e vendit tonë”, ka thënë ai.

Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, fillimisht ka shprehur përkushtimin e saj dhe të Ministrisë së Drejtësisë duke u fokusuar në përmirësimin dhe avancimin e mëtutjeshëm, rishikimin e sektorit të drejtësisë, veçmas të drejtësisë penale.

“Përmes këtij procesi para së gjithash synojmë t'i arrijmë  objektivat, përfshirë avancimin e mëtejshëm të legjislacionit të kësaj fushe, përgjithësisht me fokus rishikimi i dispozitave që i referohen korrupsionit dhe krimit të organizuar, adresimin e sfidave apo vështirësive që kanë hasur organet e zbatimit të legjislacionit penal, si dhe adresimin e të gjeturave nga raporti i Progresit i Komisionit Evropian”, tha Ministrja Hoxha. 

Kodi Penal dhe Kodi i Procedurës Penale të konsideruara si kode mjaft të avancuara e të cilat kanë filluar të zbatohen që nga viti 2013, si rezultat i konsultimeve  që janë bërë me institucionet e zbatimit të tyre  dhe partnerët ndërkombëtar, është konstatuar se jo vetëm që është e nevojshme, por është edhe e domosdoshme t'i nënshtrohen procesit të rishikimit të drejtësisë penale, me theks Kodin Penal, Kodin e Procedurës Penale si dhe legjislacionin tjetër i cili direkt apo indirekt parasheh dispozita të kësaj fushe.

Ministrja Hoxha theksoi se ju ka dërguar shkresë institucioneve që merren me zbatimin e legjislacionit penal dhe që ka pranuar një numër të konsiderueshëm të komenteve dhe propozimeve, dhe atë nga gjykatat, prokuroritë, policia, shoqëria civile, si dhe nga partnerët tanë ndërkombëtar dhe falënderoj të gjithë për kontributin që kanë dhënë deri në këtë fazë duke dërguar komente dhe propozime.

“Me qëllim të shqyrtimit të këtyre komenteve dhe propozimeve, kam themeluar grupin punues, me këtë rast dua t’i inkurajoj anëtarët e grupit punues që këtë çështje ta trajtojë me prioritet, po ashtu e ritheksoj se e keni përkrahjen time të plotë që rishikimi i drejtësisë penale të përfundohet sa më parë” tha Ministrja Hoxha.

Në fund të fjalës, Ministrja Hoxha garantoj një proces transparent dhe gjithëpërfshirës, dhe ftoj të gjithë akterët të japin kontributin e tyre, me komente dhe propozime, me qëllim të avancimit të mëtutjeshëm të legjislacionit aktual, në mënyrë që organeve të cilat merren me zbatimin e ligjit t’u mundësohet infrastrukturë adekuate ligjore, që puna e tyre të jetë sa me efikase dhe efektive, në parandalimin dhe luftimin e dukurive negative.

 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)