Fillon periudha e aplikimit për regjistrim për votim jashtë vendit
Prishtinë, 10 korrik - Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se nga sot ka filluar periudha e aplikimit për regjistrim për votim jashtë Kosovës për Zgjedhjet Lokale. Afati për aplikim përmbyllet më 18 gusht.
Gjatë kësaj periudhe 40 ditore, shtetasit e Kosovës me të drejtë vote që jetojnë jashtë Republikës së Kosovës mund të aplikojnë për regjistrim për të votuar përmes postës.
Gjithashtu, edhe ata/ato që nuk kanë shtetësinë e Republikës së Kosovës, por që kanë të drejtë të jenë shtetas të Republikës së Kosovës, sipas Ligjit për Shtetësi, mund të aplikojnë.
Informacionet e detajuara dhe si të aplikohet për regjistrim janë publikuar në ueb faqen e KQZ-së www.kqz-ks.org, në pjesën: Shërbimet e KQZ-së > Shërbimet për votuesit > Votimi përmes postës, apo në linkun direkt: https://www.kqz-ks.org/sherbimet-per-votuesit/votimi-me-poste/
Të gjithë aplikuesit që plotësojnë kriteret ligjore për t’u regjistruar si votues jashtë vendit mund të votojnë gjatë periudhës së votimit përmes postës e cila fillon më 15 shtator dhe përfundon më 15 tetor 2021.