Fillon organizimi i Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut
Tiranë, 27 shtator - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, është pritur sot me nderime të larta në Tiranë nga kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, që është edhe vizita e tij e parë jashtë vendit.
Tek Pallati i Brigadave, kryeministri Haradinaj është pritur me ceremoni ushtarake. Pas kësaj, nën kryesinë e dy kryeministrave, është mbajtur takimi i parë inaugurues i Komisionit për organizimin e Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.
Me këtë rast, kryeministri Haradinaj është shprehur i kënaqur që një organizim i tillë, do të bashkoj edhe më tej shqiptarët.
“Kosova ka një rrugë të vështirë të krejt etapave të veta, por çdoherë e ka ndjerë që nuk është vetëm. Edhe në momentet tona më të vështira nuk kemi mbetur vetëm. Pra, populli i Shqipërisë, bashkëkombësit tanë kanë qenë me ne në çdo kohë” ka thënë kryeministri Haradinaj.