Fillon mocioni për rrëzimin e qeverisë 'koti'
Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka thënë se partia të cilës i përket ai, nga sot do të nisë mbledhjen e nënshkrimeve për mocion të mosbesimit ndaj qeverisë së drejtuar nga kryeministri, Avdullah Hoti.
Ai u ka bërë thirrje të gjithë deputëteve të kuvendit që ta përkrahin këtë nismë.
Megjithatë Selimi nuk ka treguar nëse ndonjëra parti ka treguar përkrahje për mocionin.
Para njoftimit të tij për mocionin, nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci, njëherësh deputete nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se qeveria aktuale është “jokushtetuese dhe joligjore”.
“Në anën tjetër kjo qeveri tashmë e ka dëshmuar se është e paafatë për të qeverisur vendin. Edhe pse kur erdhi në pushtet kishim raste minimalisht të reja me virus dhe madje me ditë kur kishim shënuar edhe zero raste të reja të infektimeve, kur vendi ynë ishte shembull model në botë për menaxhimin e mirë të situatës me pandeminë COVID-19, në mungesë të planifikimit për t’u përballur me pandeminë kjo qeveri pa kompetencë e njohuri, e ka kolapsuar tërsisht sistemin edhe ashtu të brishtë shëndetësor të vendit tonë”, ka deklaruar Nagavci.
Përveç kësaj, Nagavci ka thënë se qeverisë Hoti i mungon edhe plani për rimëkëmbje ekonomike, duke vlerësuar se kjo përbërje qeveritare po e çon Kosovën “drejt një katastrofe humanitare”.
Për mbajtjen e seancës për shqyrtimin e mocionit të mosbesimit nevojiten 40 vota.
Nagavci ka thënë se 31 vota tashmë veçse i kanë, duke aluduar në numrin e deputetëve që ka LVV-ja në kuvend.
Përgjatë konferencës, Selimi ka pretenduar se Qeveria e Kosovës nuk e ka më as shumicën në Kuvend.
Deklaratat e tij vijnë pas lajmit për urdhër-arrestin e lëshuar të martën nga Gjykata Themelore të Prishtinë ndaj deputetit të Partisë së Ashkalinjëve për Integrim, Etem Arifi, i dënuar me vendim të formës së prerë për mashtrim me subvencione, që kapin shumën mbi 25 mijë euro.
Urdhër-arresti ndaj Arifit ia komplikon punën Qeverisë Hoti
Deputeti Arifi është i dënuar me një vit e tre muaj burgim.
Qeveria Hoti ishte formuar me 61 vota, derisa Arifi ka qenë një prej deputetëve nga radhët e minoriteteve, që ka përkrahur formimin e kësaj qeverie.
Kjo qeveri, që erdhi si rezultat i përmbysjes së vullnetit qytetar, presionit të presidentit mbi deputetë dhe votës së një deputeti që tashmë është i dënuar dhe në arrati, duhet të rrëzohet sa më parë.
"Përveç se ilegale dhe ilegjitime, kjo qeveri është e treguar e paaftë për të qeverisur, për të menaxhuar me efektet dhe rrezikun e pandemisë mbi ekonominë dhe jetën e qytetarëve duke treguar vetëm gatishmërinë për ta rikapur shtetin dhe për t’iu nënshtruar Serbisë, andaj ajo duhet të shkojë sa më parë, në mënyrë që vendi ta ketë një qeveri çfarë ka nevojë dhe e meriton", thanë Nagavci e Selimi në këtë konferencë.
Në fund, ata potencuan se teksti i mocionit është ende draft, dhe mund të ndryshohet në varësi të bashkëpunimit me ata që e mbështesin këtë mocion.