Fillon implementimi i marrëveshjes për diplomat
Prishtinë, 9 janar - Marrëveshja për njohje të diplomave universitare e arritur në Bruksel tashmë ka nisur të zbatohet që nga 1 janari i këtij viti.
Kështu ka deklaruar për Zërin kryenegociatorja e Kosovës, Edita Tahiri ndërsa ka shtuar se kjo marrëveshje do të mundësojë njohjen e diplomave të studentëve që kanë kryer studimet në të gjitha universitetet në territorin e Kosovës.
Zëvendëskryeministrja e Kosovës ka dhënë detaje rreth kësaj marrëveshjeje, që sipas saj, do të zbatohet pa ndonjë pengesë, duke filluar nga hapja e zyrës, pastaj zgjedhja e personelit të kësaj zyreje dhe përcaktimi i detyrimeve të të gjitha palëve të përfshira në këtë marrëveshje.
Tahiri ka bërë të ditur se marrëveshja është duke u zbatuar në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës si dhe Asociacionin e Universiteteve Evropiane.
Ndërsa, stafi që do të ketë përgjegjësinë e punës do të zgjidhet nga Asociacioni i Universiteteve Evropiane në bashkëpunim me organizatën holandeze SPARK, e cila pritet të menaxhojë këtë zyrë.
Ndërkohë sipas shefit të delegacionit të Serbisë, Borisllav Stefanoviç, marrëveshja nuk kërkon të njihen diplomat apo dokumentet e lëshuara në Kosovë të cilat kanë vula apo shenja të Republikë të Kosovës.
Pra, diplomat e universiteteve të Kosovës do të mbajnë vulë të asociacionit ndërkombëtar të universiteteve.