Fillon deklarimi i rregullt të pasurisë së zyrtarëve të lartë publik
Prishtinë, 3 mars - Ka filluar sot procesi i deklarimit të rregullt të pasurisë së zyrtarëve të lartë publik të cilët janë të obliguar ta bëjnë deklarimin e pasurisë së tyre tek Agjencia kundër Korrupsionit konform Ligjit për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë të Zyrtarëve të Lartë Publik dhe Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Dhuratave për të Gjithë Personat Zyrtar. Sipas Ligjit në fjalë deklarimi i pasurisë fillon nga data 1 mars deri me 31 mars.
Zyrtarët e lartë publik që kanë deklaruar pasurinë me marrjen e detyrës nga 1 janari i këtij viti nuk kanë për obligim të paraqesin edhe deklarimin e rregullt vjetor.
Të gjithë zyrtarët e lartë publik që kanë deklaruar pasurinë vitin e kaluar, kanë për obligim të plotësojnë formularin A 14 i cili duhet të jetë i plotësuar në tersi nga vetë zyrtari i lartë publik, ndërsa dorëzimin në Agjenci mund ta bëjë vetë ose përmes personit të tij të autorizuar.
Po ashtu AKK kërkon nga zyrtarët e lartë publik qe ti paraqesin dhuratat e pranuara gjatë vitit 2013 në institucionin e tyre, e pastaj secili institucion veç e veç kopjet e këtyre dhuratave i dërgon në Agjenci deri me datën 31 mars të vitit 2014.
Agjencia kundër Korrupsionit kërkon nga të gjithë zyrtarët e lartë publik që deklarimin e pasurisë së tyre ta bëjnë brenda afatit ligjor të përcaktuar në mënyrë që shmanget mundësia e sanksioneve te cilat pasojnë konformnenit 437 të Kodit Penal të Kosovës për mos-deklarim apo deklarim te rrem të pasurisë.
Agjencia do të jetë në dispozicion të plotë për të bashkëpunoj me të gjithë zyrtarët kontaktues si dhe me të gjithë zyrtarët e lartë publik (subjektet deklaruese) të institucioneve në mënyrë që procesi një mujor i deklarimit të pasurisë të përfundoj me sukses.
Për ta parë listën e zyrtarëve të lartë publik të cilët sipas ligjit janë të obliguar ta bëjnë deklarimin e pasurisë, si dhe për ta shkarkuar Formularin për deklarimin e pasurisë, ju lutem vizitoni web faqen zyrtare të AKK-së, www..akk-ks.org.