30 Prill 2024

Filloi lëshimi i pasaportave biometrike të Kosovës

Prishtinë, 31 tetor - Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës Hashim Thaçi në një ceremoni rasti i dorëzoi pasaportën e parë biometrike të riut nga Prishtina, Fatos Bajqinovcit.

Kryeministri tha se pasaporta biometrike është parakusht edhe në rrafshin e sigurisë së dokumentave, por edhe në atë të liberalizimit të vizave.

"Duke marrë parasysh që deri më tani kemi shënuar një progres substancial në fushën e liberalizimit të vizave, si në fushën e riatdhesimit dhe riintegrimit, në regjimin e integruar të kufijve, sot po e avancojmë këtë proces me lëshimin e pasaportave biometrike", theksoi ai.

Sipas tij ky është një hap i madh për Kosovën, është dokument që barazon qytetarët e Republikës së Kosovës me ata të Bashkimit Evropian.

"Me digjitalizimin e regjistrit civilë dhe lëshimin e pasaportave biometrike, ne tashmë mund të themi që dita kur qytetarët e Republikës së Kosovës mund të lëvizin pa viza, do të bëhet një realitet shumë shpejt", theksoi me tutje kryeministri Thaçi në ceremoninë e dhënies së pasaportave të para biometrike.

Pasaportat biometrike sipas tij janë shenjë se Kosova do të plotësojë kushtet për liberalizimin e vizave me shpejtësi dhe sipas kritereve të Bashkimit Evropian.
 
Ndërkaq, ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi tha se me fillimin e lëshimit të pasaportave biometrike është plotësuar një ndër kushtet më të rëndësishme që duhet të plotësohen drejt liberalizimit të vizave.

“Pas një pune të palodhshme të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të prodhuesit të kontraktuar nga Austria, në ditën e fundit të tetorit po e përmbushim një premtim që e kemi dhënë më parë se procedimi i pasaportave biometrike do të fillojë në tetor dhe sot ka ardhur ajo ditë. Pra, është një ndër kushtet e rëndësishme që duhet të plotësohen drejt liberalizimit të vizave”, tha ministri Rexhepi.

Ndërsa ambasadori i Austrisë në Kosovë, Johann Brieger, vend ku janë duke u prodhuar pasaportat biometrike, tha se me këtë rast ka përfunduar një punë e madhe, delikate dhe sfiduese që është bërë në mes partnerëve të shkëlqyeshëm, Kosovës dhe Austrisë, në një periudhë shumë të shkurtër.

“Jam shumë i lumtur që kemi arritur në këtë fazë dhe unë uroj popullin e Kosovës për këtë hap të rëndësishëm i cili është theksuar në Raportin e Progresit për Kosovën, që ka qenë shumë pozitiv në shumë fusha dhe është e theksuar qartazi se shumë punë janë bërë.
Ky është një hap tjetër në këtë rrugë”, tha ambasadori Johann Brieger.

Qytetarët e parë të Republikës së Kosovës të cilët janë pajisur me pasaporta biometrike janë: Fatos Bajçinovci, Zymrije Grajçevci dhe Ender Alija.

Ministria e Punëve të Brendshme ka paraparë, që brenda 3 viteve të prodhohen më tepër se 1 milion e 300 mijë pasaporta biometrike.

Prodhimi i pasaportave do të bëhet në Austri, ndërsa personalizmi i pasaportave biometrike do të bëhet në Departamentin për Prodhimin e Dokumenteve të Ministrisë së Punëve të Brendshme.