19 Maj 2024

Festimet për 100 vjetorin e Pavarësisë nisin në Shkup

Shkup, 25 nëntor - Festimet për 100 vjetorin e Pavarësisë së shtetit shqiptar tubuan në Shkup kryeministrat e Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, Hashim Thaçi e Sali Berisha, zëvendëskryeministrat, Behxhet Pacolli e Hajredin Kuçi, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ministra, deputet, familje patriotësh dhe rreth 15 mijë qytetarë të ardhur nga mbarë hapsira shqiptare.

Duke ju drejtuar të pranishmive në këtë manifestim, Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi se ky 100 vjetor e gjen Kosovën shtet të pavarur, Shqipërinë në NATO dhe shqiptarët në Maqedoni me më shumë të drejta. Ai mes tjerash theksoi se e ardhmja e shqiptarëve do të jetë në një hapësirë të përbashkët e të integruar.

“Sot duhet të kujtojmë vetëm ku ishim para 13 vjetësh, Shqipëria në tranzicion, Kosova e pushtuar, shqiptarët në Maqedoni të diskriminuar rëndë, në Preshevë edhe më rëndë, shqiptarët në Mal të Zi në përpjekje për të drejtat e tyre.

Por mrekullia ndodhi nga shpresa, besimi ynë, lindi UÇK-ja, e cila largoi njëherë e përgjithmonë Serbinë nga Kosova, sot e kemi të lirë, të pavarur dhe sovrane.

Mrekullia e UÇK erdhi jo vetëm me vullnetin e shqiptarëve të Kosovës, pati mbështetje nga gjithë shqiptarët kudo që jetonin. Shqipëria përparoi edhe më shumë, sot e kemi në NATO.

Shqiptarët si asnjë komb në rajon i kanë dy shtete, Shqipërinë dhe Kosovën, por e ardhmja na tregon se ne duhet të jetojmë në një hapësirë unike si një komb i vetëm. Do jetojmë në një hapësirë të përbashkët e të integruar”, tha ai.

 \"Jemi në Shkupin e 30 mijë kryengritësve të Hasan Prishtinës, që përgatiti dhe ideoi pavarësinë e Shqipërisë, të cilën e shpalli diplomati, burrështetasi dhe  kryeheroi i shqiptarëve, Ismail Qemali, më 28 nëntor 1912,

 Për të ardhur deri tek një datë historike, kurorëzimi i Pavarësisë, shqiptarët kishin kaluar nëpër lëvizjen  madhe që nga Lidhja e Prizrenit.

 Katër vjet para shpalljes së Pavarësisë, elita kulturore shqiptare, në qytetin tjetër në jug të Shkupit, në Manastir përqafoi Alfabetin latin, duke i dhënë vulën civilizimit shqiptar\", ka pohuar kryeministri Thaqi.

Kryeministri Sali Berisha, kërkoi që askush të mos hidhërohet nga përpjekjet e shqiptarëve për bashkim. Sepse sipas tij, duke shkuar drejt Evropës, aq më shumë do të bashkohemi me njëri- tjetrin.

“Ne shqiptarët nuk u pajtuam kurrë me padrejtësitë, nuk pranojmë shtypjen e të tjerëve, ndaj dhe bëmë një rezistencë legjendare, UÇK-të do zhvillonin luftën e fundit çlirimtare në Evropë. Lavdi përjetë luftëtarëve dhe udhëheqësve politikë”, deklaroi Berisha.


Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti tha se populli shqiptar është krenar në këtë përvjetor, me arritjet që ka bërë ndër vite.

“Ne nuk punojmë për pozicionet dhe komoditet tonin. Ne me shumë përpjekje viteve të fundit kemi punuar për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni.

Kemi luftuar për të drejtat njerëzore dhe kombëtare, dhe ja po shënojnë e festojmë Ditën e Alfabetit, Ditën e Flamurit dhe Ditën e pavarësisë së shqipërisë dhe kjo në nivelin më të lartë shtetëror, ashtu siç organizuam këtë festë të sontme”, deklaroi Ahmeti.

Para fillimit të këtij manifestimi, kryeministrat Berisha dhe Thaçi , të shoqëruar nga ministra dhe kreu i BDI-së , Ali Ahmeti, vunë kurrora me lule pranë shtatores së heroi kombëtar, Hasan Prishtina. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)