Ferizaji dhe Gjilani të mobilizuar në pritje të bashkatdhetarëve
Ferizaj, Gjilan, 14 maj - Ministri i Diasporës, Valon Murati dhe zv. Ministri, Sahit Krasniqi, kanë vazhduar vizitat me kryetarët e Komunave të Kosovës. Në rend ishin komuna e Ferizajt dhe Gjilanit.
Gjatë takimit me Kryetarin e Komunës së Ferizajt, z. Muharrem Svarqa, u morr zotimi se komuna do të jetë në gatishmëri të plotë për pritjen e fluksit të bashkatdhetarëve gjatë muajve të verës. Sipas shifrave në dispozicion, kjo komunë ka rreth 47 mijë pjesëtarë të diasporës.
Përpos përpilimit të kalendarit të aktiviteteve të cilat do të organizohen gjatë muajve të verës, komuna e Ferizajt do të shtojë numrin e sporteleve dhe kohëzgjatjen e orarit të punës tënënpunësve të saj ashtu që mos të ketë pritje nga ana e bashkatdhetarëve.
Ministri Murati si në gjitha takimet tjera me kryetarët e komunave, ashtu edhe në takimin me kryetarin Svarqa, kërkoi që bashkatdhetarët tanë duhet të priten sa më mirë.
Po ashtu biseduam edhe për një proces shumë të rëndësishëm, i cili është regjistrimi i diasporës ku unë ftoj bashkatdhetarët që ti përgjigjen pozitivisht, sepse është një proces shumë i rëndësishëm i Kosovës për të ditur numrin e tyre, në mënyrë që ne të jemi të aftë që të organizojmë edhe politikat për bashkatdhetarët tanë. Normalisht ajo që na intereson të gjithëve është zhvillimi ekonomik dhe ai socio-ekonomik i vendit, dhe kjo lidhet edhe me remitancat që ata dërgojnë, të krijojnë kushte sa më të mira, që bashkatdhetarët biznesmenët tanë mund të vinë dhe të investojnë këtu, është shprehur ministri Murati.
Delegacioni i Ministrisë së Diasporës, kryesuar nga Ministri Murati, udhëtoi edhe në Gjilan, në takimin me kryetarin e kësaj komune, z. Lutfi Haziri.
Po ashtu kryetari Haziri tregoi se Gjilani tashmë ka bërë parapërgatitjet për shumicën e aktiviteteve. Ministri Murati morr zotimin që Komuna do të shtojë forcat dhe do të punojë pa pauzë, ndërsa do të ketë një koordinim të aktiviteteve ashtu që bashkatdhetarët tanë të priten sa më mirë në atdheun e tyre.
Ministri Murati gjatë ditës do të takohet edhe me kryetarin e Komunës së Dardanës, z. BegzadSinani.