Ferid Agani rizgjidhet kryetar i PD-së
Prishtinë, 7 qershor - Ferid Agani është rizgjedhur edhe për një mandat në krye të Partisë së Drejtësisë. Në Kuvendin e VIII Zgjedhor që është mbajt të dielën, Aganit me aklamacion pa asnjë votë kundër iu besua edhe një mandat.
Në këtë kuvend u zgjodhën edhe strukturat tjera të partisë, si kryesia dhe këshilli drejtues, ndërsa u miratuan ndryshimet statutore.
Kuvendit Qendror të PD-së, i parapriu procesi i brendshëm zgjedhor i filluar gjashtë muaj më parë, i mbajtur në 25 degë në mbarë Kosovën.
Kryetari Ferid Agani, procesin e brendshëm zgjedhor e quajti të suksesshëm, demokratik dhe një garë që sipas tij, duhet të jetë shembull për të gjithë.
Ai tha se në 11 degë të PD-së u ndërruan kryetarët, gjë që dëshmon se kjo parti po përqafohet nga kuadro të reja dhe profesionale të gatshëm për të çuar proceset përpara.
Rreth 200 delegatë, sa ishin të pranishëm në kuvend, fillimisht miratuan ndryshimet statutore të PD-së, të cilat ndryshime u cilësuan si shumë pozitive.
Pasi që kandidat për të parin e PD-së, ishte vetëm kryetari aktual, procedura e votimit u zhvillua me aklamacion, ku me të gjitha votat pro, Ferid Aganit iu besua edhe një mandat.
Në fjalën e tij si kryetar i ri, Agani tha se PD-ja do të angazhohet për një shtet ku respektohen të drejtat dhe liritë e njeriut, një shtet ku çdo qytetar do të ndjehet krenar dhe i respektuar.
Ai shprehu bindjen se PD-ja, do të shënojë rritje të vazhdueshme, ngase vlerësoi se programi që posedon kjo parti është program që përkon me vlerat e vet qytetarëve të Kosovës.
Kuvendi i VIII Zgjedhor i PD-së, u vëzhgua nga përfaqësues të KQZ-së, KDI-së, por edhe mediet, të cilat ishin të pranishëm në pjesën e parë të punimeve.