Ferati: LDK-ja do ta votojë Hashim Thaçin për president
Prishtinë, 6 shkurt - Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Sadri Ferati, ka bërë me dije se LDK-ja do ta respektojë marrëveshjen për bashkëqeverisje me PDK-në si dhe do ta votojë Hashim Thaçin për president të vendit.
Ai ka thënë se nuk është i madh numri i deputetëve të LDK-së që e kundërshtojnë Thaçin për president.
Edhe kur është zgjedhur Isa Mustafa kryeministër ka pasur deputetë që kanë votuar kundër. Prandaj nuk është për tu befasuar deklarimi i atyre (deputetëve të LDK-së) se nuk do ta votojnë Thaçin për president. Numri i tyre nuk është i madh, ka thënë Ferati në një intervistë për Epokën e re.
Ai ka vlerësuar se shkuarja në zgjedhje të parakohshme do të jetë e dëmshme për shtetin e Kosovës. Sipas Feratit, zgjedhjet e jashtëzakonshme nuk i shkojnë për shtati askujt, as pozitës, as opozitës.
Ai u ka bërë thirrje të gjithë liderëve të partive politike që të ulen dhe të bisedojnë në mënyrë që ta gjejnë zgjidhjen më të mirë për interesin e vendit.