FeR: Qeveria po dështon në krijimin e shtetit funksional
Prishtinë, 27 tetor - Partia Fryma e Re shpreh shqetësimin me faktin se Kosova rangohet e fundit në Evropë dhe kah fundi në të gjitha raportet e institucioneve të njohura botërore në fusha shumë të rëndësishme të funksionimit të shtetit.
Në një njoftim për media të kësaj partie, thuhet se duke u vlerësuar shumë dobët në fushën e lirisë së shprehurit, nivelin e korrupsionit si dhe ambientin e biznesit, këto raporte dëshmojnë se Kosova është në rrugë të gabueshme, dhe se kjo qeverisje po dështon në krijimin e shtetit funksional. Partia Fryma e Re shpreh drojën se këto raporte nuk do të jenë të fundit që e vlerësojnë Kosovën në këtë mënyrë.
Raporti i Transparency International, organizatë lidere në luftimin e korrupcionit anëmbanë botës, dje ka publikuar raportin e indeksit të korrupsionit në gjithë botën që Kosovën e ka ranguar në vendin e 110-të, ku vendi më i afërt me Kosovën në Ballkan është Bosna në vendin e 91-të. Sipas këtij raporti, Kosova është me e korruptuar se Senegali dhe Argjentina.
Raporti i Reporterëve pa Kufij, organizatë lidere e gazetarëve anëmbanë botës, sa i përket lirisë së shtypit rangon Kosovën në vendin e 92-të. Që nga viti 2008 Kosova ka shënuar rënie për 34 vende (në 2008 ka qenë në vendin e 58-të).
Kosova sot ka më pak liri të shprehurit se sa Lesotho dhe Sierra Leone. Raporti i Bankës Botërore për ambientin e biznesit e rangon Kosovën në vendin e 113-të sa i përket mbrojtjes së investimeve dhe lehtësive për të bërë biznes në Kosovë. Republika e Maqedonisë i ka ikë Republikës së Kosovës shumë larg duke u ranguar në vendin e 32-të, thuhet në njoftim.
Partia Fryma e Re thuhet se dëshiron ta shohë Kosovën në krye të raporteve për të mirë, duke u vlerësuar si shtet demokratik, funksional, dhe ku mund të investohet pa probleme të mëdha. Më me rëndësi, Partia Fryma e Re dëshiron ta shohë Kosovën të pakorruptuar, të zhvilluar ekonomikisht me shumë investime, dhe ku njerëzve nuk ju kufizohen liritë. Për këtë nevojiten reforma të mirëfillta të cilat Fryma e Re do ti paraqesë si shtylla të programit të vet.