Feith: Zyra Administrative forcon marrëdhëniet me qytetarët në veri
Mitrovicë, 29 gusht - Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, Pieter Feith, vizitoi sot Zyrën Administrative të Mitrovicës Veriore.
Gjatë vizitës së tij ai bisedoi me Kryesuesen e Zyrës, Znj. Adrijana Hodic dhe pjesëtarët e tjerë të stafit.
Zyra Administrative e Veriut të Mitrovicës, ZAMV, u themelua me vendim të Qeverisë së Kosovës në maj 2012.
Zyra tani është plotësisht funksionale dhe ka 55 të punësuar të cilët janë përgjegjës për ofrimin e shërbimeve për qytetarët në komunat veriore të Kosovës.
ZAMV-ja do të ketë dy milion Euro në dispozicion nga buxheti i Kosovës për projekte kapitale në infrastrukturë në vitin 2012 dhe një shtesë prej një milion euro në vit për pesë vitet e ardhshme.
ICR-ja, Pieter Feith pas vizitës në ZAMV tha se qytetarët në veri të Kosovës dëshirojnë të marrin në kontroll çështjet që i brengosin ata më së tepërmi.
"Ata po fillojnë të shohin se decentralizimi iu ofron atyre përfitime reale dhe po bëhen gjithnjë e më të hapur për të punuar me strukturat të cilat janë vërtet transparente dhe legjitime. ZAMV-ja është një sukses për qytetarët lokalë dhe për Kosovën.
Unë e inkurajoj Qeverinë që ta vazhdojë këtë ritëm pozitiv dhe të forcojë marrëdhëniet e saj me qytetarët në veri. Kjo mund të bëhet përmes ofrimit të shërbimeve, investimit dhe angazhimit në nivelin praktik të punës si dhe përmes përmirësimit të komunikimit më të gjerë me komunitetet pakicë .