Feith uron presidentin dhe qeverinë e re
Prishtinë, 24 shkurt - Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar (ICO) në Kosovë, Pieter Feith, njëherësh i dërgfuar i posacëm i BE-së, uroi presidentin dhe kryeministrin e ri të Kosovës pas votimit në Kuvendin e Kosovës.
I uroj presidentin Pacolli dhe kryeministrin Thaçi për zgjedhjen e tyre në këto poste të rëndësishme dhe me përgjegjësi. Unë u dëshiroj atyre çdo sukses në punën e tyre në shërbim të të gjithë popullit të Kosovës, thuhet në urimin e Feithit.
Sipas tij, presidenti dhe kryeministri kanë role shumë të rëndësishme në udhëheqjen e zhvillimit të Kosovës në të ardhmen, duke përfshirë progresin e mëtejmë në perspektivën e saj drejt BE-së.
Ata duhet ti bashkojnë njerëzit. Ata duhet të nxjerrin më të mirën nga energjia dhe aftësia të cilën padyshim e ka populli i Kosovës me qëllim të ndërtimit të një Kosove demokratike dhe shumetnike që i kontribuon paqes dhe stabilitetit në rajon. Kjo do të ndihmojë në angazhimin për të siguruar më shumë njohje.\"
\"Unë po ashtu pres nga udhëheqësit e rinj dhe nga e gjithë Qeveria që të ndjekin rrugën e reformave të parashtruara në Propozimin Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit dhe që janë aq të nevojshme për Kosovën. Më kryesoret në mesin e këtyre reformave janë kompletimi i decentralizimit në tërë Kosovën, përfshirë këtu themelimin e komunës së re të Mitrovicës së Veriut, mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve dhe të trashëgimisë kulturore, fuqizimin e sundimit të ligjit dhe vazhdimin e reformës zgjedhore. Meqë kohëve të fundit Kosova ka përjetuar disa kthime prapa dhe po ballafaqohet me sfida të mëdha, duhet të bëhet punë jetike për përmirësimin e reputacionit të Kosovës, thuhet në urim.
Po ashtu, Feith ka thënë se në adresimin e këtyre çështjeve të ngutshme, i siguron presidentin dhe kryeministrin se do ta kenë këshillën dhe mbështetjen e tij.