17 Janar 2025

Faruk Mujka, kandidat i Vetëvendosjes për Kryetar të Mitrovicës

Mitrovicë, 13 gusht - Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje! në Mitrovicë organizoi konferencë për media, për t’i publikuar rezultatet e zgjedhjeve të brendshme si dhe për ta shpallur kandidatin për Kryetar të Komunës së Mitrovicës.

Ditën e diel, me 11 gusht, gjatë tërë ditës, aktivistët e 28 pikave të Vetëvendosje!-s në Mitrovicë votuan për ta zgjedhur kandidatin e Lëvizjes për Kryetar të Komunës së Mitrovicës.

Gjatë procesit të votimit dhe numërimit të votave, nuk është vërejtur asnjë parregullsi. Për më tepër, as pas 24 orëve, sa ishte afati për dorëzimin e ankesave pas publikimit të rezultateve preliminare, nuk ka ardhur asnjë e tillë para Komision Zgjedhor ad hoc të Qendrës.

“Ne si komision i vlerësojmë këto zgjedhje të brendshme si të lira dhe në përputhje të plotë me frymën dhe parimet e demokracisë brendshme të shprehura në Statutin dhe Rregulloren e Zgjedhjeve të brendshme të Lëvizjes Vetëvendosje!”, tha Fadil Rudhani, drejtues i Komisionit Zgjedhor ad hoc të Qendrës.

Ai më tej shpalli kandidatin e Vetëvendosje!-s për Kryetar të Komunës së Mitrovicës, Faruk Mujka, i cili kishte marrë 98% të votave të aktivistëve.

Kandidati për Kryetar të Komunës së Mitrovicës, Faruk Mujka, qysh në fillim të fjalës së tij tha se komuna e Mitrovicës tashmë është e ndarë në vija etnike dhe e vulosur me anën e marrëveshjes Thaçi–Daçiç.

“Edhe po të ishte krejt Kosova në mbrojtje të kësaj Marrëveshjeje, qytetari i Mitrovicës do të duhej me tërë qenien e tij ta kundërshtoj dhe kurrë mos ta pranoj. Sepse, me pranimin e kësaj marrëveshjeje, pranon se nuk e do qytetin e plotë, por të ndarë edhe atë në vija etnike.\"

\"I tradhton vëllezërit e vet në lagjet mbi lumin Ibër, në Kelmend, Boletin, Zhazhë, Bistricë, Kushtovë të Vllahisë dhe Cerajë. Ata po i lëmë në gojë të ujkut. Bile Kryetari aktual rekomandon që qytetarët vetë ta mbrojnë pragun e shtëpisë”, tha Mujka.

Ai tha se Komuna e Mitrovicës është e vetmja në Kosovë të cilës i është zvogëluar numri i banorëve në krahasim me para luftës, e ka shkallën më të lartë të papunësisë, shkallën më të lartë të varfërisë, numrin më të madh të mërgimtarëve dhe numrin më të madh të atyre që tentojnë të ikin nga Kosova. 

“Mitrovicasit vazhdojnë të përballen me probleme pothuajse të njëjta me ato të periudhës së para zgjedhjeve lokale të 2009. Mungesa e ujit të pijes, prezencës së shtuar të mbeturinave nëpër qytet, pamundësia e lëvizjeve së udhëtareve me transport publik apo me transport të rregulluar, rrugë të paasfaltuara, rrugë të dëmtuara, ndotja e ambientit, mungesa e mirëmbajtjes nëpër ndërtesa publike, pamundësia e ofrimit të shërbimeve mjekësore, janë vetëm disa nga problemet aktuale të banorëve të Komunës së Mitrovicës”, tha Faruk Mujka.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje!, Albin Kurti, tha se Faruk Mujka paraqet aktivistin e duhur që të jetë kandidat i Vetëvendosje!-s për Kryetar të Komunës së Mitrovicës. “Besoj në sinqeritetin dhe seriozitetin e Faruk Mujkës, besoj në mençurinë dhe dijeninë e tij, besoj në guximin dhe trimërinë e tij. Këtë besim që po e ndaj me ju që e keni votuar masivisht Faruk Mujkën, ne duhet ta përkthejmë në besim të qytetarëve të Mitrovicës me 3 nëntor.

Kurti tha se qyteti i Mitrovicës, është qyteti më i vlefshëm i Kosovës. “Në vend se të jetë Komuna më e zhvilluar për shkak të potencialit, Mitrovica është bërë Komuna më e varfër për shkak të keqpërdorimeve” tha Kurti, duke shtuar se pa ujin e Liqenin e Ujmanit dhe pa Trepçën, nuk mund të flasim as për Kosovë sovrane e as për Kosovë të zhvilluar.

“Trepça është trajtuar nga të gjitha instancat e pushtetit në Kosovë, vendor e ndërkombëtar, sikur barrë e jo pasuri. Ajo që dikur ishte krenaria ekonomike e industriale e Kosovës, e që kishte qenë po ashtu objekti më tërheqës për pushtim e kolonizim të vendit tonë, që prej çlirimit filloi të konsiderohej si fatkeqësi. Të gjithë e dimë se një vend punë nën tokë tek xehet, i hap 4 vende të punës mbi tokë në prodhim, përpunim, shpërndarje dhe shitje.\"

\"Në vitin 1983 Trepça punëson më shumë se 23.000 punëtorë, ishte një prej dhjetë kompanive më të suksesshme në Jugosllavi”, theksoi Kurti, duke shtuar se Trepça duhet të trajtohet me qasje zhvillimore, dhe se beteja për Trepçën është betejë për gjithë Kosovën, ngase e gjithë Kosova varet nga Mitrovica dhe nga Trepça.

Spastrimi etnik që u bë në veri të Mitrovicës, nuk ka ndodhur vetëm gjatë luftës por është vazhduar edhe pas luftës. Ndonëse për këtë gjë fajtor është Serbia, gjithsesi përgjegjësi mbanë edhe KFOR-i e sidomos Qeveria e Kosovës dhe institucionet lokale të cilat nuk janë angazhuar asnjëherë për njëmend për bashkimin e qytetit e madje as për pengimin e ndarjes së tij.

“Për t’u bërë edhe më keq se kaq u kujdes Qeveria aktuale e cila në bisedime në Bruksel vendosi që veriu i Kosovës të ketë një rajon të veçantë policor dhe një fond të posaçëm për zhvillim, përderisa dihet sipas studimeve të organizatave ndërkombëtare se standardi i serbëve në veri është dy herë e gjysmë më i lartë sesa i shqiptarëve në jug të Mitrovicës”, theksoi Kurti.

Trekëndëshi i krimit të organizuar, agjenturës së SHIK-ut, dhe korrupsionit institucional është trekëndëshi në të cilin po fundoste perspektiva e Mitrovicës.

Alternativa e Vetëvendosje!-s me shtetin e së drejtës, për drejtësi, shtetin zhvillimor, për prodhim, dhe shtetin social, për mirëqenie, është zgjidhja e vetme për qytetarët e Mitrovicës, në mënyrë që fillimisht ta ndalim të keqen, e pastaj të vazhdojmë me punët e mira.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)