Familja është themel i një shoqërie të shëndoshë
Prishtinë, 15 maj - Me rastin e shënimit të ditës ndërkombëtare të familjes Kryetari i Aleancës për Prishtinën, Besnik Tahiri mori pjesë në konferencën Kujdesu për Mua njëherësh ishte pjesë e organizimit të aktiviteteve të SOS Fshatit për fëmijët bonjak.
Më këtë rast, z. Tahiri theksoi se sikurse qeveria qendrore, e në veçanti komuna duhet të bëjnë gjithçka për të përmirësuar dhe avancuar mirëqenien në familje dhe gjithsesi promovuar mundësitë e barabarta në vend. Poashtu, ai tha se problemet dhe pasojat e trashëguara nga lufta dhe atë që ka të bëjë me tranzicionin, e që kryesisht ndërlidhen me zhvillimin e dobët ekonomik, shtimin e varfërisë, përkujdesin e dobët social e shëndetësor dhe të arsimimit jocilësorë duhet të trajtohet si prioritet i politikave programore të të dy niveleve qeverisëse.
Aleanca për Prishtinën mendon se është e domosdoshme të hartohen politika që në themel promovojnë një shoqëri ku vlerat e familjes mbrohen dhe avancohen. Është me rëndësi që të garantojmë veprime konkrete qeverisëse që do të mundësojnë strehim për familjet në nevojë, si dhe ndihma direkte për shkollimin e fëmijëve të tyre.
Z. Tahiri me këtë rast falënderoi SOS Fshatin për organizimin e konferencës që adresoi këtë temë dhe aktivitetin me fëmijët e kopshtit duke përfshirë edhe fëmijët bonjak dhe ofroi përkushtim maksimal për të ndihmuar këtë institucion në punën humane që bënë çdo ditë.