Faleminderit Kosovë e Shqipëri!
Prishtinë, 13 janar - Kryetari i komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, e ka mirëpritur vendimin e Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Shqipërisë për ndarjen e fondit në vlerë prej 100 mijë eurosh për maternitetin e Luginës së Preshevës.
Në këtë intervistë për Epokën e re, Mustafa ka thënë se ky fond është simbolik, por që hap dyert për një interesim më të madh për shqiptarët e Luginës së Preshevës në të ardhmen.
Ky fond është simbolik dhe jashtëzakonisht i vogël, por është një moment i parë që hap dyert për një interesim më të madh të dy qeverive për shqiptarët e Luginës së Preshevës. Duke qenë në pozicionin e kërkim-lëmoshës do ta pranojmë këtë fond dhe do ti falënderojmë dy qeveritë për modestinë e tyre në lidhje me shqiptarët në Luginën e Preshevës, është shprehur Mustafa.
Sipas tij, krijimi i fondit për Luginën e Preshevës nuk mund të konsiderohet i vonuar. Proceset politike mbase janë të vonuara gjithmonë në histori, por nuk është me fajin e Shqipërisë dhe të Kosovës.
Kjo situatë nuk ka mundur të ngjajë para 10 vjetësh, aq më pak para 20 vjetësh. Prandaj nuk mund të thuhet se është një nismë shumë e vonuar, por mirë që ka nisur dhe duhet të intensifikohet dhe të jetë më serioze karshi shqiptarëve të Luginës, ka theksuar Mustafa.
Ai ka vlerësuar se Kosova dhe Shqipëria me aktin e së shtunës kanë treguar se Lugina e Preshevës është problem që kërkon zgjidhje afatgjatë dhe të qëndrueshme. Është e rëndësishme që në mbledhjen e parë historike të dy qeverive në agjendën e tyre ka hyrë Lugina e Preshevës.
Kështu dy qeveritë kanë treguar se janë në gjendje të identifikojnë se Lugina e Preshevës është problem që pret zgjidhje afatgjatë dhe të qëndrueshme në interes të shqiptarëve, ka thënë Mustafa, duke kërkuar intensifikim të angazhimit për gjetjen e kësaj zgjidhje sa më shpejt.