EULEX-i do të vazhdojë bashkëpunimin me ministritë e reja
Prishtinë, 1 mars - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, kishte sot një takim me shefin e EULEX-it, Xavier De Marnhac.
Pasi shprehu falënderimet e tij për pritjen, Xavier De Marnhac e përgëzoi kryekuvendarin Krasniqi për rizgjedhjen në këtë post, duke theksuar se para Legjislaturës së Tretë shtrohen detyra dhe obligime të rëndësishme në fushën e legjislacionit.
Në vijim ai e njoftoi kreun e legjislativit të vendit se EULEX-i do të vazhdojë bashkëpunimin me ministritë e reja nga fushat përkatëse, duke u fokusuar sidomos në sfidat që dalin nga Raporti i Progresit për Kosovën.
Kryekuvendari Krasniqi e falënderoi Xavier De Marnhac për urimet, ndërsa në vijim foli për projektligjet që presin të shqyrtohen e miratohen në Kuvend.
Duke folur për proceset aktuale më vend, kryetari i Kuvendit, Krasniqi, tha se sundimi i ligjit duhet të shtrihet në tërë territorin e vendit, ndërsa politika nuk duhet të ndërhyjë në sistemim e drejtësisë.
Kur është fjala për buxhetin e Kosovës, kryekuvendari Krasniqi theksoi se ai pritet të miratohet nga fundi i marsit ose fillimi i prillit të këtij viti.