EULEX do të vazhdoi luftën ndaj korrupsionit dhe krimit
Prishtinë, 15 tetor - Shefi i ri i EULEX-it, Xavier Bout de Marnhac dha porosi se do të vazhdoi lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, pavarësisht që është ndërruar shefi. Marnhac këto komente i bëri gjatë një takimi që zhvilloi me Ushtruesin e detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës dhe kryetarin e Kuvendit, Jakup Krasniqi.
Xavier Bout de Marnhac tha se e sigurova kryetarin për përkushtimin e EULEX-it për të bashkëpunuar sa më shumë. Unë do të bashkëpunoj me institucionet e Kosovës, në mënyrë që, siç ka bërë edhe paraardhësi im, ta promovojmë sundimin e ligjit dhe që sundimi i ligjit të konsolidohet sa më shumë që të jetë e mundur këtu në Kosovë, tha de Marnhac.
Krasniqi tha se de Marnhac ka ardhur në një kohë të re dhe mjaft të rëndësishme në Kosovë.
Në kohën kur EULEX-i në një formë ka ndryshuar edhe statusin e tij për faktin se mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë ka bërë që EULEX-i të mos jetë neutral ndaj statusit, ka ardhur në një kohë kur jemi duke u organizuar për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, në kohën kur edhe përfaqësuesit serbë të Beogradit po u bëjnë thirrje serbëve të Kosovës që të dalin në zgjedhjet e përgjithshme për Kuvendin e ri të Republikës së Kosovës.