Eskobar theksoi mbështetjen e SHBA-ve për sovranitetin territorial të Kosovës
Prishtinë, 19 nëntor - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka biseduar sot me Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, njëherësh mbikëqyrës i politikave të vendeve të Ballkanit Perëndimor, Gabriel Eskobar.
Eskobar shfaqi interesimin e tij për programin e qeverisë në shumë fusha me ç‘rast Kryeministri e njoftoi Eskobar me progresin e shënuar në menaxhimin e mirë të pandemisë dhe vaksinimin e suksesshëm të popullsisë.
Po ashtu e njoftoi për rritjen ekonomike dhe reformat e filluara në drejtësi si dhe për stabilitetin institucional e legjitimitetin demokratik.
Eskobar theksoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës dhe përkushtimin e ShBA-ve që Kosova dhe rajoni të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian.
Në lidhje me dialogun në Bruksel, ai shprehu mbështetjen e tij dhe përkushtimin që të ketë progres në këtë drejtim.
Kryeministri e falënderoi Eskobar për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Kosovës dhe e siguroi për përkushtimin e Kosovës për dialog parimor, ku në qendër është njohja e ndërsjellë.
Kryeministri po ashtu theksoi rëndësinë që në Serbi, por edhe në rajon, të ketë ballafaqim me të kaluarën si dhe balancë e simetri në trajtimin e pakicave.
Në mbyllje të bisedës, duke theksuar se pret që së shpejti të vizitojë Kosovën, Eskobar shprehu urimet më të mira për Kryeministrin dhe popullin e Kosovës.
Kryeministri falënderoi Eskobar për rolin dhe angazhimin e tij në Kosovë dhe rajon duke i uruar sukses në punën e tij dhe duke i ofruar bashkëpunimin e plotë të Qeverisë së Republikës së Kosovës.