Erdogan uron Thaçin për procesin zgjedhor
Prishtinë, 16 dhjetor - Kryeministri në dorëheqje i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka pranuar mbrëmë një mesazh urimi për zhvillimin me sukses të procesit zgjedhor të 12 dhjetorit, nga homologu i tij, kryeministri i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.
Në një bisedë telefonike, z. Erdogan duke uruar kryeministrin Thaçi për fitoren në zgjedhjet nacionale të 12 dhjetorit, theksoi se këto ishin zgjedhjet e para nacionale në Kosovën e pavarur, zgjedhje këto të lira dhe demokratike, të organizuara nga institucionet kosovare.
Kryeministri turk, Recep Tayyip Erdogan gjatë bisedës me kryeministrin Thaçi shprehu shpresën që sa më shpejtë të formohet qeveria e re dhe Republika e Kosovës të vazhdojë rrugën e saj të pandalshme drejt zhvillimit të gjithmbarshëm.
Në këtë kuadër, bashkëpunimi i Qeverisë së Turqisë me Qeverinë e re të Kosovës, të udhëhequr nga kryeministri Thaçi, vetëm sa do të thellohet në të gjitha aspektet e interesave të përbashkëta të dy vendeve mike, - theksoi z. Erdogan.