18 Janar 2025

Erdogan s’bëri fushatë

Prishtinë, 25 tetor -  Kryetari i Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP), njëherësh ministër i Administratës Publike, Mahir Jagxhillar, ka thënë se vizita e kryeministrit të Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, nuk duhet të shihet si mbështetje e ndonjë subjekti politik në kohën kur Kosova është në fushatë elektorale.

Në një bisedë për “Epokën e re”, Jagxhillar ka thënë se kryeministri Erdogan ka ardhur në Kosovë vetëm për shkak të inaugurimit të terminalit të ri të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës (ANP) “Adem Jashari”.

“Vizita e kryeministrit Erdogan ka qenë e planifikuar më herët. Të gjithë e kemi ditur se në tetor do të përurohet terminali i ri i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës  ‘Adem Jashari’ dhe që në këtë eveniment do të marrë pjesë kryeministri Erdogan. Pas përurimit të terminalit të ri, Erdogan ka shfrytëzuar rastin ta vizitojë Prizrenin. Ai edhe herën e fundit kur e ka vizituar Kosovën ka qëndruar në Prizren”, ka deklaruar Jagxhillar.

Sipas Jagxhillarit, vizita e Erdoganit dhe e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në Prishtinë dhe Prizren, është historike, pavarësisht se në Kosovë partitë politike janë duke zhvilluar aktivitete zgjedhore për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit.

“Nuk mund të flas në detaje, por besoj se kryeministri i Turqisë ka qenë i informuar se Kosova gjendet në fushatë zgjedhore. Takimi i tre kryeministrave në Prishtinë dhe në Prizren për mua është historik”, ka thënë Jagxhillar. Në këtë kontekst, Jagxhillar ka thënë se kryeministri Erdogan sa herë që ka vizituar Republikën e Kosovës ka qëndruar edhe në Komunën e Prizrenit.

“Sa herë që kryeministri Erdogan e ka vizituar Prizrenin është pritur jashtëzakonisht mirë nga qytetarët e kësaj komune. Sa herë që kryeministri turk do ta vizitojë Kosovën ne do ta mirëpresim ashtu siç duhet dhe siç e meriton. Ajo çfarë e dallon vizitën e kaluar të Erdoganit në Prizren është prania e kryeministrit shqiptar, Edi Rama. Me këtë rast Prizreni dhe qytetarët e tij dëshmojnë se janë mikpritës”, është shprehur Jagxhillar. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)