Enver Zymberi dekorohet me Urdhërin Hero i Kosovës
Prishtinë, 27 korrik - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga ka marrë sot vendim që Enver Zymberi, polic i njësisë speciale të Policisë së Kosovës, i vrarë në krye të detyrës, të dekorohet me Urdhërin Hero i Kosovës, me motivacion për trimërinë dhe përkushtimin e treguar deri në flijim për vendosjen e sundimit të ligjit në tërë territorin e Republikës së Kosovës.
Vendimi u mor në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, neni 84, pika 28, si dhe në bazë të Rregullores për Dekoratat, Urdhrat dhe Titujt e Nderit të Kosovës, që i jep Presidentja e Kosovës dhe Procedurat e Dhënies së tyre, nenet 3 dhe 5.
Urdhri Hero i Kosovës u jepet qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe të huaj, të kohëve moderne, nga Lidhja e Prizrenit e këndej, që kanë bërë vepra trimërie për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Varrimi i policit Enver Zymberi do të bëhet me të gjitha ceremonitë dhe nderimet që janë të parapara për Heroin e Kosovës.
Presidentja Jahjaga medaljen do tia dorëzojë familjes Zymberi në një ceremoni të veçantë.