Enver Hasani kërcënon presidenten
Prishtinë, 26 korrik - Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, ka kërcënuar nëpërmjet një letre presidenten e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, duke kërkuar nga kjo e fundit që mos ta dekretojë Ligjin për Amnisti, të miratuar javë më parë nga legjislativi i vendit.
Nëpërmjet një letre të dërguar më 22 korrik 2013, të cilën e posedon edhe gazeta Zëri, Hasani i ka shkruar të parës së shtetit se nëse kjo e fundit i ndërmerr hapat për dekretimin e Ligjit, duhet ta ketë parasysh nenin 43.2 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese.
Neni 43.2 i Ligjit për Gjykatën Kushtetuese përcakton se në rast kur ligji, apo vendimi i miratuar nga ana e Kuvendit të Republikës së Kosovës kontestohet sipas nenit 113, paragrafi 5 i Kushtetutës, ligji apo vendimi i tillë mund ti dërgohet Presidentit të Republikës së Kosovës për shpallje në pajtim me modalitetet e përcaktuara në vendimin final të Gjykatës për rastin e kontestuar, thuhet mes tjerash në letrën e Hasanit dërguar Jahjagës.
Mirëpo, me një arsyetim të tillë të kreut të Gjykatës Kushtetuese, drejtuar institucionit më të lartë në vend, nuk pajtohet kryetari i Komisionit për Legjislacion në Kuvendin e Kosovës.
Deputeti Arben Gashi potencon se letra e Kushtetueses është ndërhyrje e drejtpërdrejtë në pavarësinë e Presidencës.
Kreu i Gjykatës Kushtetuese mund ta vendosë masën e parakohshme dhe në kuadër të saj mund të thotë që ligji është i pazbatueshëm, por assesi të dërgojë letra në Presidencë, ka thënë për gazetën Zëri Gashi, duke shtuar se ky veprim i Kushtetueses është joprofesional dhe jokorrekt.
/Zëri/