Enver Ademi, kandidat i Vetëvendosjes për Kryetar të Shtimes
Prishtinë, 22 gusht - Të enjten, më 22 gusht, Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Shtime mbajti konferencë për media me çrast u publikuan rezultatet e zgjedhjeve të brendshme si dhe u shpall kandidati i Lëvizjes për Kryetar të Komunës së Shtimes.
Me 20 gusht, ditën e martë, aktivistët e 7 pikave të VETËVENDOSJE!-s në Shtime votuan për të zgjedhur kandidatin për kryetar të komunës, sipas parimit një anëtarë një votë. Gjatë procesit të zgjedhjeve dhe numërimit të votave nuk është vërejtur asnjë parregullsi. Rezultatet paraprake u shpallën po të njëjtën ditë. Kemi pritur edhe 24 orë të tjera dhe pranë Komisionit Zgjedhor ad hoc të Qendrës nuk është paraqitur asnjë ankesë. Në si komision i vlerësojmë këto zgjedhje si të lira dhe në përputhje të plotë me frymën e demokracisë së brendshme që përshkruhet në statutin dhe rregulloren e zgjedhjeve të brendshme të Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Fitues i këtyre zgjedhjeve, pra kandidat i Lëvizjes për Kryetar të Komunës së Shtimes, është Dr.Enver Ademi, i cili ka marrë 97.18% të votave, tha Sanie Sadiku nga Komisioni Zgjedhor ad hoc i Qendrës.
Pas saj, fjalën e mori kandidati i VETËVENDOSJE!-s për Kryetar të Komunës së Shtimes, Dr. Enver Ademi, i cili falënderoi aktivistët për besimin që i kanë dhënë. Duke folur për zhvillimet në këtë komunë, Ademi tha se politikat e deritanishme nuk kanë sjellë rezultatet e pritura nga qytetarët, bile nuk janë as afër që ta bëjnë një gjë të tillë, pavarësisht premtimeve të mëdha. Mungesa e politikave zhvillimore, keqpërdorimi i parasë publike dhe politizimi i sektorëve publik kanë qenë dhe mbeten dukuri shqetësuese për qytetarët. Ne do të punojmë dhe do të përkushtohemi maksimalisht për fitore në zgjedhjet e nëntorit, ku prioritet i ynë do të jetë qytetari, menaxhimi dhe shfrytëzimi sa më racional dhe transparent i buxhetit, në mënyrë që ti kthejmë dinjitetin komunës tonë, tha Ademi, duke shtuar se Shtimja si komunë ka mundësi të shumta për zhvillim, por vetëm duhet punë dhe angazhim nga secili.
Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, tha se Dr.Enveri është i gatshëm që ti bëjë ballë së keqes në Shtime, duke vënë në dispozicion potencialin e tij intelektual dhe njerëzor. Doktor Enver Ademi ka lindur me 25 shtator të vitit 1971. Ai kreu shkollën e mesme në gjimnazin Naim Frashëri në Shtime. Ka studiuar në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Mjekësisë, kurse specializimin e kreu në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë. Punon në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Shtimë, si pediatër konsultant, tha Kurti, përderisa fliste për kandidatin. Ai shtoi se këtë mbështetje që ia kanë dhënë aktivistët Dr.Enverit, duhet ta shndërrojmë në mbështetje të të gjithë qytetarëve të Shtimes, për hir të vetë këtyre qytetarëve.
Kurti tha se Komuna e Shtimes, e cila i ka dhënë shumë Kosovës, e cila ka pësuar shumë dëme, humbje e vuajtje, ka përfituar shumë pak nga paslufta. Përderisa fliste për dëmet e luftës, ai përmendi edhe masakrën e Reçakut, ku me 15 janar 1999 u vranë e u masakruan në mënyrën më mizore 45 shqiptarë civilë, të paarmatosur e të pambrojtur, duke thënë se kjo sakrificë e ky flijim i shqiptarëve e tronditi përfundimisht ndërgjegjen e opinionit publik botërorë dhe vuri në lëvizjes makinerinë e NATO-s kundër Serbisë.
Komuna e Shtimes, përveçse ka përfituar shumë pak, në të njëjtën kohë paradoksalisht ka përfituar shumë korrupsion, shumë moszhvillim, shumë neglizhim e dashakeqësi të pushtetit lokal e qendror, duke mbetur kështu viktimë e ndëshkimeve të pasluftës, në vend se të drejtësisë e të zhvillimit ekonomik, theksoi Kurti. Ai tha se kjo komunë, duke pasur kushte shumë të volitshme për zhvillimin e bujqësisë, e ka shansën për zhvillim. Bujqësia është një ndër lëmitë kryesore ku komuna e Shtimes dhe Qeveria e Kosovës duhet të investojnë. Komuna e Shtimes posedon tokë pjellore, klimë të përshtatshme dhe traditë punuese në bujqësi, gjë që mundëson rendimente të kënaqshme. Komuna posedon 6,697 Ha tokë bujqësore, prej të cilave 4,947 Ha janë tokë pjellore, tha mes tjerash Kurti, duke shtuar se VETËVENDOSJE! nuk e sheh bujqësinë vetëm si punim të tokës, por e sheh edhe të ndërlidhur shumë me industrinë e lehtë, me atë ushqimore, sepse kësisoj shumëfishohet vlera e shtuar në ekonomi: Pikërisht për këtë gjë ne e kemi Alternativën Qeverisëse të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, e cila përbëhet nga tri shtylla të lidhura organikisht: shteti i së drejtës për drejtësi, kundër korrupsionit; shteti zhvillimor për zhvillim të bazuar në prodhim, që sjellë punësim e mirëqenie; dhe shteti social që nënkupton barazi në shoqërinë tonë, si pikësynim por gjithashtu edhe si pikënisje në mënyrë që rritja ekonomike dhe progresi të mos jetë për disa por për të gjithë.