Entuziazmit të Kosovës për integrim Brukseli po i përgjigjet ftohtë
Prishtinë, 14 maj - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se Kosova po implementon në afat rekord të gjitha kriteret e nevojshme për liberalizimin e vizave, marrëdhëniet tregtare dhe përgatitjet për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit.
Ai ka theksuar se krahas angazhimit të Kosovës në përmbushjen e kritereve për integrim, vonesat e Brukselit karshi Kosovës janë të pajustifikueshme.
Ai ka kërkuar nga kabineti i tij që në afat të caktuar të plotësojë Pyetësorin e studimit të fizibilitetit, i cili tashmë ka arritur në Kosovë.
Duke folur para ministrave dhe sekretarëve të ministrive, Kryeministri Thaçi theksoi angazhimin e vendit në implementimin e gjitha kritereve të nevojshme për liberalizimin e vizave, marrëdhëniet tregtare dhe përgatitjet për stabilizim asociim, duke theksuar më tej se Brukseli po i stërgjatë proceset.
"Entuziazmit dhe politikës të institucioneve, të qytetarëve të Kosovës për integrim, për fat të keq Brukseli po i përgjigjet ftohtë dhe me procese të stërzgjatura. Kosova nuk kërkon trajtim të privilegjuar, as procese të përshpejtuara."
"Ne vetëm kërkojmë trajtim të barabartë, sikurse të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Bashkimi Evropian nuk duhet të toleroj vrima të zeza në kontinentin evropian. Parimi i lirisë dhe barazisë është vlerë mbi të cilën është ndërtuar Bashkimi Evropian dhe ne nuk po kërkojmë asgjë më shumë e as më pak se liri të lëvizjes së njerëzve, mallrave dhe ideve dhe barazi në trajtim", theksoi Kryeministri Hashim Thaçi në takimin me zëvendëskryeministrat, ministrat dhe sekretarët e përgjithshëm lidhur me pyetësorin e Studimit të Fizibilitetit.
Me 7 maj në Kosovë ka arritur Pyetësori për studimin e fizibilitetit, dokument ky që i paraprinë Marrëveshjes së stabilizim-asociimit. Pyetësori me 450 pyetje duhet të plotësohet nga të gjitha institucionet e vendit, prandaj kryeministri Thaçi kërkoi angazhim serioz, në përmbushjen e tij.
Kërkoj nga ju që gjatë muajit maj dhe qershor prioritet kryesor të jetë plotësimi i Pyetësorit për studimin e fizibilitetit dhe realizimin e sukseshëm të misionit faktmbledhës të Komisionit Evropian. Ju inkurajoj që të mbani takime të veçanta dhe intensive me sekretarë, drejtorë dhe zyrtarë relevantë me qëllim të përfshirjes personale në plotësimin e pyetësorit, tha kryeministri me këtë rast.
Bazuar në përgjigjet e institucioneve, deri me 1 qershor, Ministria e Integrimit Evropian do të konsolidojë dokumentin final i cili duhet ti dorëzohet Komisionit Evropian më 8 qershor. Ndërkaq pas dorëzimit të përgjigjeve, me 18 qershor në Kosovë arrin një mision i gjerë faktmbledhës i Komisionit Evropian me qëllim të verifikimit të përgjigjeve.