28 Prill 2024

ENEMO do të bëjë monitorimin e zgjedhjeve

Prishtinë, 6 dhjetor - Ushtruesi i Detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, Dr. Jakup Krasniqi prit sot në takim një delegacion të Rrjetit Evropian të Organizatave Evropiane për Monitorimin e Zgjedhjeve (ENEMO), i cili do të monitorojë procesin zgjedhor të zgjedhjeve të 12 dhjetorit në vendin tonë.

Duke folur për takimin me përfaqësuesit e ENEMO-s, të cilët kanë ardhur për monitorimin e zgjedhjeve me kërkesë të institucioneve të Republikës së Kosovës, Ushtruesi i Detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, Dr. Jakup Krasniqi tha se i njoftoi ata për rrjedhat e zhvillimeve të këtyre ditëve në vendin tonë, për fushatën zgjedhore dhe për rëndësinë e zgjedhjeve të 12 dhjetorit, që është mjaft e madhe për Kosovën, për zhvillimet demokratike dhe për institucionet demokratike që do të dalin pas zgjedhjeve.

“Ne besojmë dhe shpresojmë se këto zgjedhje do të jenë edhe të lira, edhe të drejta edhe të ndershme. Na vjen mirë që rrjeti i organizatave ENEMO do të jetë prezent në Kosovë, do të japë vlerësimin e vet edhe të periudhës parazgjedhore, por edhe të ditës së zgjedhjeve. Ne presim dhe dëshirojmë që gjithçka të shkojë sipas asaj që e parasheh ligji dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës”, tha Ushtruesi i Detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, Dr. Jakup Krasniqi.

Nga ana e tij, Zlatko Vujoviq, shef i misionit të ENEMO-s për monitorimin e zgjedhjeve në Kosovë, tha se janë të kënaqur që kanë marrë ftesën për të vëzhguar zgjedhjet në Kosovë dhe që do të jenë i vetmi mision ndërkombëtar që do të bëjë monitorimin e zgjedhjeve, i cili është prezent në Kosovë, do të jetë këtu ditën e zgjedhjeve dhe pas tyre, deri në shpalljen përfundimtare të rezultateve të zgjedhjeve.

“Misioni i ENEMO-s do të ketë rreth 170 vëzhgues për ditën e zgjedhjeve, po ashtu janë rreth 20 vëzhgues afatgjatë, që janë anëtarë të Zyrës Qendrore të ENEMO-s. Do të prezantojmë rezultatet preliminare një ditë pas zgjedhjeve, ndërsa raporti përfundimtar, që do të jetë edhe zyrtar, do të jepet rreth një muaj pas ditës së zgjedhjeve dhe do të jetë i publikuar për të gjithë të interesuarit”, theksoi Vujoviq.

I pyetur lidhur me faktin se autoritetet serbe u kanë bërë thirrje serbëve të Kosovës të mos marrin pjesë në zgjedhje, Ushtruesi i Detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, Dr. Jakup Krasniqi u përgjigj:

“Ne na vjen keq nëse autoritetet serbe kanë bërë një ftesë të tillë. Megjithatë, ne shpresojmë dhe presim që qytetarët serbë të Kosovës të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të qenë pjesë e këtyre zgjedhjeve dhe për të qenë pjesë e proceseve demokratike në Kosovë, por edhe për të qenë pjesë e integruar e institucioneve në Kosovë dhe pjesë e jetës publike në përgjithësi”.

Ndërkaq, i pyetur lidhur me zhvillimin e deritashëm të fushatës zgjedhore, ai tha: “Unë jam duke bërë fushatë të heshtur dhe në këtë drejtim mendoj se edhe ju pajtoheni se jam i pabarabartë me kandidatët e tjerë që garojnë. Ajo që unë dua të them është se deri tani në përgjithësi fushata zgjedhore është duke shkuar mjaft mirë, ndonëse aty-këtu mund të vërehet një gjuhë joargumentuese, por edhe kjo konsideroj se është në suaza të fushatës zgjedhore dhe të proceseve demokratike që po i kalon Kosova”.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)