Emërimi i anëtarëve të OSHP-së, lajm i mirë për vizat
Prishtinë, 30 mars - Bekim Çollaku, ministri i Integrimeve Europiane a ka uruar emërimin e anëtarëve të bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit.
Ai ka thënë se ky është një lajm i mirë për funksionalizimin e këtij institucioni dhe gjithashtu ka rëndësi edhe për liberalizimin e vizave.
\"Sot Kuvendi i Kosovës emëroi anëtarët e bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit të Kosovës. Ky është një lajm i mirë për funksionalizimin e këtij institucioni, dhe gjithashtu ka rëndësi edhe për liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës. Funksionalizimi i këtij organi ka qenë një nga rekomandimet e fundit që Kosova është dashur ti përmbushë në kuadër të këtij procesi. Kjo padyshim do të kontribuoj që dialogu për liberalizim të vizave me Komisionin Evropian të përmbyllet së shpejti, dhe që ky proces të avancoj sa më shpejtë drejt vendimit përfundimtar për mundësimin e të drejtës së lëvizjes pa viza për të gjithë qytetarët\", ka theksuar ai.
\"Jam plotësisht i vetëdijshëm se të gjithë qytetarët e Kosovës me padurim po e presin ditën kur do të përfundohet izolimi i tyre, si dhe për kureshtjen shumë të arsyeshme për të ditur datën se kur kjo do të ndodhë. Siç kam thënë edhe më herët, ne nuk mund të japim një datë të saktë gjersa ky proces nuk varet vetëm nga ne, por mund të them se duke u bazuar në arritjet që janë bërë ne jemi të gatshëm dhe shumë afër. Pra, çka varet nga ne është përmbushja e kritereve, dhe kjo është pikërisht ajo që kemi bërë. Vendimi i sotëm për bordin e OSHP-së ka qenë një nga rekomandimet që Komisioni Evropian i ka nxjerrë pas vlerësimit të kaluar që e ka publikuar në dhjetor 2015. Së shpejti presim që të kemi edhe një pasqyrë më të qartë edhe nga misioni që ishte në Kosovë para dy javësh. Unë jam i bindur se ky proces i ka dhënë frytet e veta, tash presim nga ana e BE-së që të jep vlerësimin e vetë dhe të fillojnë procedurat e nevojshme në mënyrë që të bëhet marrja e vendimit për liberalizim të vizave nga institucionet përkatëse të BE-së\", ka thënë ai.