Emërimet e MPJ-së, antiligjore
Prishtinë, 27 gusht -Të gjitha konkurset e hapura nga Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) për pranimin e stafi t civil për pozita të ndryshme nëpër konsullata dhe ambasada të Kosovës u japin mundësi drejtuesve të këtij dikasteri që të manipulojnë me punësimin e tyre.
Kandidatët që aplikojnë për punë, sipas konkurseve të hapura, kanë të drejtë të përzgjedhin pozitën e përshtatshme për ta, përkatësisht llojin e punës që do të bëjnë, por jo edhe vendin ku do të shkojnë, qoftë ai në ndonjërin nga vendet e Bashkimit Evropian, apo në ndonjë vend tjetër.
Në këtë formë, drejtuesit e MPJ-së ia arrijnë që pa asnjë problem të vendosin për fatin e të pranuarve në punë, duke ia arritur gjithashtu që nëpër shërbimet konsullore dhe ato diplomatike që janë më të favorshme për punë dhe karrierë ti dërgojnë militantët e partive të tyre dhe të kundërtën ta bëjnë me të papushtetshmit.
Burime të gazetës brenda MPJ-së bëjnë të ditur se drejtuesit e MPJ-së, jo vetëm këta aktualë, por edhe ata të mëhershmit, shpesh dështojnë në dërgimin e personave në vende me të cilat janë të familjarizuar, qoftë nga gjuha zyrtare e atyre shteteve, apo edhe nga kultura e qytetarëve të atij vendi, shkruan Zëri në numrin e sotëm.
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Administratës Publike, Ndue Kalaj, thotë se përzgjedhja e vendit të punës sipas dëshirës së zyrtarëve të MPJsë është tërësisht antiligjore dhe si e tillë vjen në kundërshtim me Ligjin e Punës.