Ekipi negociator shkon sot në Bruksel
Grupi negociator i Kosovës, që kryesohet nga Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti, udhëton në Bruksel për herë të parë që nga mandatimi i tij në Kuvendin e Kosovës, në nëntor të vitit të shkuar, me gjithë kundërshtimin e partive opozitare.
Çështja e të zhdukurve është tema e vetme e konfirmuar që do të diskutohet në Bruksel, ndërsa thuhet se ky takim, i pari i këtij lloji, cilësohet më shumë si një takim konsultues sesa negociues.
njëri nga kryesuesit e ekipit negociator të Kosovës, Fatmir Limaj, para nisjes ka thënë se "në Bruksel, do të tregojnë përkushtimin e Republikës së Kosovës për vazhdimin e dialogut me Serbinë”.
"Do të shkojmë për të dëshmuar vullnetin dhe gatishmërinë e Kosovës për dialog. Më tepër është një takim konsultativ, për të parë dhe për të informuar njëri tjetrin, se si do të vazhdojmë me dialog. Do t'i paraqesim qëndrimet e delegacionit të Kosovës në Bruksel”, ka thënë zëvendëskryeministri i Kosovës Fatmir Limaj, duke bërë të ditur se ekipi negociator është i koordinuar mirë edhe për temat, për të cilat do të flitet në Bruksel.
Ekipi dialogues i Kosovës kundërshtohet nga partitë politike opozitare, Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe lëvizjen Vetëvendosja. .
Sipas tyre “ky delegacion nuk përfaqëson vullnetin e shumicës qytetare”, pasi përbëhet nga parti shumë të vogla.
Sidoqoftë, dialogu i drejtpërdrejt Kosovë-Serbi është për momentin i ngrirë, për shkak të taksës 100 për qind mbi mallrat serbe që hyjnë në Kosovë.